
Historia e valles së Osman Takës.
Në Konispol jetonte fisi i Takajve, atje ku lindi Osman Taka, një djalë me trup elegant, i pashëm dhe burrëror.
Historia fillon në kohën e pushtimit Otoman, ku Konispoli ishte qendër administrative dhe kontrollohej nga ana ushtarake nga “Karakolli i Qafë Botës”, posta kufitare turke e cila ruante rendin si në Konispol edhe në Filat.
Truproja e karakollit turk, një oficer dhe 5 ushtarë, faleshin ç’do të premte, njëherë në xhaminë e Konispolit dhe herën tjetër në xhaminë e Filatit. Oficeri turk dhe ushtarët e tij, pas lutjeve u ndeshën në rrugë me dy femra me fytyrë të mbuluar sipas traditës, këto dy vasha ishin gruaja dhe motra e Osman Takës, të cilat kishin marrë rrugën në Shehat për një vizitë. –
Xhandari turk, u zuri rrugën grave dhe u ngriti shaminë për t’i parë fytyrën.
Gratë largohen që aty dhe u kthyen në shtëpi, motra menjëherë i tregoi Osmanit, atë që u kishte ndodhur. Për këtë turp Osmani mblodhi burrat tek Oda e Madhe e Takajve dhe morrën një vendim të prerë.
Osman Taka me 4 djem trima, u zunë pritë në udhë trupës që vinte nga karakolli turk. Djemtë vranë komandantin dhe ushtarët, duke lënë gjallë një nga ata, që të dëshmonte.
Osman Taka u shpall në kërkim dhe për kapjen e tij, Veliu i Janinës, me leje nga Porta e Lartë, jepte 5 mijë napolona floriri. Osman Taka u arratis dhe për disa muaj qëndroi nëpër fshatra e vende të ndryshme të Çamërisë, deri sa ra në derën e një “miku” Nasho Gërxhua, i cili pasi u dha mish e raki, i dehu dhe u shtroi për të fjetur.
Pasi u sigurua se ishin në gjumë, ai i spiunoi, për të fituar 5 mijë napolonët. Trupat turke u versulën drejt shtëpisë ku gjindeshin djemtë. Gjatë luftimeve u vranë dy djem të Nashos dhe një luftëtar i Osman Takës, tre djemtë e tjerë i kapën të gjallë dhe i dërguan në burgun e Janinës, ku u gjykuan me varje në litar.

Ekzekutimin do ta ndiqte vetë Veliu i Janinës, Hasan Beu me të shoqen Xhemilen, ndërsa kryerjen e ekzekutimit do ta bënte kadiu, Mexhit Beu i cili pyeti të dënuarit se cila ishte kërkesa e tyre e fundit.
Osman Taka kërkoi diçka të çuditshme. Kërkoi një sofër dhe sazet e Filatit për të kërcyer një valle që e quanin “Vallja e Burrave të Konispolit”. Ai tha se donte orkestrën e Braho Salametit.
Kërkesa ju plotësua dhe muzika filloi. Osmani si një vallëtarë elegant, me pamje të rrallë, burrë që kërcente bukur, mahniti të pranishmit sa që gruaja e Hasan Beut, Xhemilja, tha që nuk kishte parë të tillë kërcim, ajo tha se ky djalë ishte i lindur për të kërcyer, për të argëtuar veten dhe të tjerët. Xhemile Hanemi ju drejtua Mexhit beut duke i thënë se është mëkat të varet ky djalë.
Ajo u zotua se do të ndryshojë dënimin në Portën e Lartë për t’i falur ata dhe kërkoi që vallja të luhej përsëri, valle që Osmani do e kërcente edhe më me krenari dhe me virtuozitet, vallja e Burrave të Konispolit, që u shpëtoi jetën, vallja që mori emrin e këtij djali, Vallja e Osman Takës.
