
Tensione në mbledhjen e Grupit të PS-së/ Rama dhe Braçe përplasen ashpër, raportohen fyerje dhe paralajmërime ndaj deputetëve
Një debat i fortë raportohet se ka shpërthyer gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Erion Braçe.
Sipas raportimeve mediatike, përplasja nisi pasi Braçe shprehu pakënaqësinë për mënyrën se si u votuan një ditë më parë në Kuvend anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) dhe drejtuesi i ri i këtij institucioni.
Deputeti socialist mësohet të ketë kritikuar faktin që deputetëve iu kërkua të votonin kandidatë pa pasur, sipas tij, një diskutim paraprak mbi emrat.
“Votuam njerëz që nuk i njohim. Na i sillni gjërat gati dhe kërkoni të votojmë me sy mbyllur”, raportohet të ketë deklaruar Braçe.
Sipas të njëjtave burime, reagimi i Braçes ka sjellë kundërpërgjigjen e kryeministrit Rama, i cili ka theksuar se anëtarët e KPP-së janë propozim i qeverisë dhe se procedura lidhet me kërkesat e Bashkimit Europian.
“Ata janë verdikti i qeverisë. Ç’të bëj që na e kërkon BE-ja? Se nuk e sillnim fare në Kuvend”, citohet të ketë thënë Rama.
Raportohet se debati është përshkallëzuar më tej, ndërsa sipas burimeve mediatike kryeministri i është drejtuar Braçes me fjalë fyese.
Po sipas raportimeve, pas përplasjes me Braçen, Rama u ka bërë edhe një paralajmërim deputetëve socialistë, duke deklaruar:
“Do ta bëj ndonjërin shembull. Se deri tani kam menduar që nuk ju punojnë mirë neuronet.”
Deri në këto momente, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Kryeministria apo nga deputeti Erion Braçe për të konfirmuar ose kundërshtuar këto raportime.
ÇKEMI NEWS
Ti je pjesë e Atdheut
Na ndiqni në rrjetet sociale: Facebook • Instagram • TikTok • YouTube
#EdiRama #ErionBraçe #PartiaSocialiste #Kuvendi #Politikë #Shqipëri #ÇkemiNews
