
Ardian Xhakolli është një sipërmarrës dhe inxhinier i njohur në Itali. Ai kandidon në zgjedhjet për këshilltar bashkiak që do të mbahen më 8-9 qershor. Zoti Xhakolli erdhi sot në rubrikën “Zgjedhja ime”, në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV për të folur për jetën e tij, kandidaturën por edhe dilemën për t’u kthyer në Shqipëri.
Pas takimit me kryeministrin Edi Rama në Milano, zoti Xhakolli tha se është e vërtetë se shumë shqiptarë në Itali e mendojnë kthimin, por dilemat nuk janë të pakta.
“Pas atij takimi plot adrenalinë, vjen një diagramë e sheshtë që kërkon logjikë dhe përgjigje konkrete për pyetjen kryesore: Çfarë na pret në Shqipëri!”, thotë Xhakolli.
Në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga zoti Xhakolli thotë se shqiptarët nuk do të kthehen për patriotizëm.
“Tundimi i kthimit në Shqipëri është shumë i madh. Unë kam 33 vjet në Itali dhe e mendoj që kursimet e punës këtu t’i investoj në Shqipëri. Por më mundon fakti si është terreni, sa paqësor, si është konkurrenca, nëse ke një problem a gjen zgjidhje, a gjen drejtësi.
Unë kam ikur 21 vjeç nga Shqipëria sot jam 55, jam puro shqiptar ama kam marrë dhe nga Italia në karakterin tim. Unë do të doja që qasja e qeverisë në këto raste të ishte më profesionale. Nuk do të doja të vija në Shqipëri, vetëm nga tundimi për të qenë në vendin tim, por edhe se janë pjekur kushtet.
Unë jam dakord që Shqipëria duhet të ecë me hapa të shpejtë por më shumë se sa të shpejtë, unë mendoj që duhet të ecë me hapa të matura.
Ne emigrantët kemi punuar jo pak por janë me dekada dhe e kemi dëshirën për t’u kthyer, por nuk mund të bëjmë hapin e gabuar. Pra nuk mund të kthehemi vetëm nga patriotizmi në Shqipëri, të mos gjejmë atë që kërkojmë dhe të kthehemi sërish në Itali për t’ia nisur nga e para. Ky është risk shumë i madh”, u shpreh Xhakolli./L.F-dritare.net
