Emisioni “Në Shënjestër” nga Klodiana Lala në News 24, ka trajtuar mbrëmjen e sotme rastet e përdhunimeve në Kosovë nga forcat paramilitare serbe gjatë luftës në vitin 1999. Përmes dëshmive të dy prej protagonistëve të rasteve të tilla, rrëfehen tmerret që përjetuan jo vetëm gratë por edhe burrat.

 Pjesë nga dokumentari:

Shpresa, emri ynë redaksional, është një tjetër viktimë e dhunës serbe, gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Ajo ishte duke punuar në një lokal, pranë banesës, kur forcat serbe u futën në vendin e saj të punës dhe e sulmuan seksualisht.

Si një film horror që i kalon edhe sot para syve, ajo e ka të pamundur të fshijë nga kujtesa ato momente të tmerrshme. “Për të rrëfyer jetën time është tmerr. Gjurma më e madhe e asaj që më ka ndodhur në luftë është që ajo nuk harrohet kurrë. Unë kam qenë në një lokal aty, pastroja… Ka hyrë policia.

Dy kanë ndenjur jashtë, dy kanë hyrë dhe kanë bërë atë çfarë nuk i bëhet një njeriu, një femre”, u shpreh ajo.  Ajo çfarë ndodhi ishte e papërshkrueshme për të. Por ajo që do të vinte, si do të kujdesej ajo ta mbante këtë dramë brenda vetes, si do ta shikonin tani e tutje njerëzit e familjes, apo shoqëria, ishte një mundim më i madh për të.  Të parit që ajo i tregoi mbi atë çfarë kishte ndodhur, ishte bashkëshorti. Ndërsa ata që e mësuan më pas ishin edhe vajza e saj, si edhe një shok i bashkëshortit. Por askush tjetër, përveç tyre… Sulmi i forcave paramilitare serbe nuk ishte vetëm seksual, por edhe i dhunshëm fizik. Ajo kujton se u dhunua duke iu mbajtur automatiku në kokë. Ndërsa të pranishmit e tjerë në atë moment, nuk kishin se si ta ndihmonin për ti ardhur në ndihmë.