
Kombëtarja shqiptare e vajzave U-19 fitoi me rezultatin 2-1 ndeshjen e parë ndaj Lituanisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian për këtë grupmoshë. Në ndeshjen e luajtur në stadiumin ‘Schaffhaussen’ në Zvicër, vajzat kuqezi triumfuan me gola të Klaudia Borcit dhe Rosela Vasës
Trajneri i ekipit kombëtar U-19, Kreshnik Krepi hodhi në fushë këtë 11-she titullare: Amelia Mone (GK), Angela Nika, Rexhina Maxhalaku, Rosela Vasa, Xhesika Ndoj, Arlinda Kodra (c), Alesja Çinaj, Rigersa Tori, Klesta Ago, Jehona Coka dhe Klaudia Borci.
Vajzat kuqezi e nisën mirë ndeshjen, duke zhvilluar një pjesë të parë mjaft të bukur, jo vetëm në rezultatin e prodhuar, por edhe në rastet dhe lojën e krijuar. Të besuarat e trajnerit Krepi u mbrojtën mjaft mirë, ndërsa prodhuan raste për gol që në minutat e para.

Në minutën e 12-të, Shqipëria pati një rast mjaft të mirë me Rosela Vasën, e cila ekzekutoi një goditje dënimi, që me pak fat për skuadrën tonë mund të kthehej në gol, por topi përfundoi mbi rrjetë. Edhe Borci provon portën kundërshtare në minutën e 27-të, me një gjuajtje nga jashtë zone, por topi shkon sërish jashtë zone.
Goli për Shqipërinë vjen pikërisht në minutën e 33-të, me Klaudia Borcin që kalon vajzat kuqezi në avantazh. Jehona Coka asistoi Borcin, e cila pasi mori topin, kaloi me sukses lituanezet, hyri në zonën kundërshtare dhe goditi topin duke e dërguar në rrjetë.
Rosela Vada dyfishon shifrat për Kombëtaren shqiptare në minutën e 46-të me një super gol nga goditja e dënimit, duke sjellë festë në kampin kuqezi. Pjesa e parë mbyllet me shifrat 0-2 në favor të Shqipërisë së vajzave U-19.
Sakaq, në pjesën e dytë të takimit, trajneri Krepi bën dy zëvendësime, duke hedhur në fushë Era Methoxhën dhe Ornela Brahajn. Në minutën e 63-të, Era Methoxha pati rastin për të trefishuar rezultatin. Mesfushorja përfitoi nga gabimi i portieres lituaneze, duke goditur fort, por topi përfundon në këndore.
Lituanezet na ndëshkojnë në minutën e 75-të, por kjo nuk i demotivon vajzat kuqezi. Coka pati gjithashtu një tjetër mundësi të mirë për të thelluar avantazhin, por portierja kundërshtare pret topin.
