
Nga Genc Sejko
Shuhet një familje e tërë sepse një i ri i frustruar do t’i tregojë shoqërisë (që është edhe më e frustruar se ai) se sa i zoti është, duke bërë gara në rrugë me 200 km në orë.
Makina që nget është shumë e shtrenjtë për një 20 vjeçar, kështu që me shumë gjasa e ka blerë babai injorant. Ky i fundit është bërë milioner edhe pse nuk di shkrim e këndim dhe për rrjedhojë i kalon të birit të njëjta “vlera”.
Polici në rrugë nuk ka prapanica të ndalojë të riun e frustruar. Kjo sepse ai e di shumë mirë që këto miliona që fiton injoranti, nuk vijnë dot pa pasur një lidhje politike.

Mund të vazhdoj edhe më gjatë me zinxhirin e maskarallëkut por ju e kuptoni shumë mirë se ku dua të dal.
Tek ne mund të vdesësh duke pirë kafe në rehatinë tënde; sepse ngjitur me ty është ulur trafikanti i drogës që është kthyer me pushime, ose mund të vdesësh në rrugë edhe pse je në rehatinë e makinës sate, apo duke ecur në trotuar.
Kjo sepse injoranti në vend të librit ka vendosur t’i blejë djalit makinë luksoze. E ardhmja premton të njëjtat skena për një shoqëri si kjo e jona,që është ngritur mbi vesin e jo mbi virtytin.
