
Publikohen disa dokumente arkivore me siglën “Sekret” të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), të cilat i përkasin fillimit të vitit 1973, ku ndodhet një korespondencë në mes Komitetit të Partisë së rrethit të Kukësit dhe Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku bëhet fjalë lidhur me dy ngjarje të rënda të ndodhura në atë kohë në fshatin Vlahen, ku kooperativisti Lush Sokoli me biografi të keqe, gjatë mbledhjes “ku po punohej fjalimi i shokut Enver”, i tha sekretarit të Partisë:
“Unë nuk mundem ta kritikoj Enverin, prandaj po flas për vete”. Si dhe ngjarja tjetër e ndodhur në Minierën e Gjegjanit, ku shefi i llogarisë së minierës, Jemin Gjana, nuk pranoi të hiqte nga salla e kulturës antenën që merrte sinjalin për televizionin e Jugosllavisë, duke thënë se: “Edhe copash të më bëni, unë nuk e heq atë”. Të gjitha raport-informacionet e Komitetit të Partisë së rrethit të Kukësit për Komitetin Qëndror dhe shënimet e Hysni Kapos, që morri nën mbrojtje Jemin Gjanë, pasi atë e pushuan nga puna dhe e dërguan në prodhim për “kalitje dhe edukim”?!
Pas fjalës së Enver Hoxhës të mbajtur në aparatin e Presidiumit të Kuvëndit Popullor të Shqipërisë më datën 9 janar të vitit 1973, vetëm pak ditë pasi kishte përfunduar Festivali i 11-të Kombëtar i Këngës në Radio-Televizon si dhe diskutimit të tij në mbledhjen e zgjeruar të komunistëve të organizatës bazë të partisë së Komitetit Qëndror të PPSH-së (më datat 15 dhe 16 mars të po atij viti) me temë: “Lufta kundër shfaqjeve të huaja në art e kulturë dhe ndikimi i tyre në të gjithë jetën e vendit”, ku ai për herë të parë kritikoi publikisht Festivalin e 11-të të Këngës, duke bërë përgjegjës kryesorë Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin, në të gjitha institucionet kryesore artistike dhe kulturore të vendit, u mbajtën një sërë mbledhjesh të gjata me analiza, kritika, autokritika, denoncime dhe diskutime të pafundme. Ato vazhduan deri në fundin e muajt qershor të atij viti, kur dhe u mbajt Plenumi i 4-të i Komitetit Qëndror të PPSH-së, që u zhvillua vetëm për të marrë në analizë artin e kulturën dhe për të dënuar përgjegjësit kryesor, siç u konsideruan Todo Lubonja dhe Fadil Paçarmi.
Por ndërkohë, që nga janari i atij viti kur Enver Hoxha foli për herë të parë për problemet e artit e kulturës dhe shfaqjet e huaja dhe liberale që ishin vënë re aty, me porosi nga Komiteti Qëndror i PPSH-së, Komitetet e Partisë në rrethe dhe të gjitha organizatat bazë, lëshuar direktivën që të hiqeshin të gjitha antenat stacioneve të huaja televizive, që shërbenin për marrjen e sinjaleve të tyre, siç ishin në atë kohë ato të Jugosllavisë e Italisë që shikoheshin kryesisht në Veri të vendit (por edhe në pjesën më të madhe të territorit shqiptar), si dhe ato të Greqisë në Jug të vendit. E gjitha kjo u bë pasi në fjalën e tij, Enver Hoxha kishte theksuar se: “Festivali i 11-të i Këngës ishte një imitim i festivaleve italiane, me muzikën e shthurur e moderne, prej nga këngëtart tanë kanë imituar edhe veshjet e tyre ekstravagante dhe flokët e gjata” etj. Pas kësaj, nga sektori i Propagandës së Komitetit Qëndror të PPSH-së, që drejtohej nga Ramiz Alia, si veprim i parë u ndërmorr heqja e antenave televizive të stacioneve të huaja. Kjo gjë që asokohe u quajt “një aksion politik”, nga ku si rezultat për një kohë të shkurtër u arrit të hiqeshin të gjitha antenat e “Jugosllavit dhe Italiant” nga tarracat e pallateve dhe çatitë e shtëpive, bëri që stacionet e huaja televizive të shikoheshin fshehurazi nga të gjitha familjet shqiptare, gjë e cila do të vazhdonte pa ndonjë problem deri në shembjen e regjimit komunist. Por në atë kohë, pra që nga fillimi i vitit 1973, kur filloi “aksioni masiv” për heqjen e antenave të stacioneve të huaja televizive, pati tek tuk edhe kundërshtime të hapura nga individë të ndryshëm, që nuk pranuan t’i hiqnin ato. Lidhur me këtë, bëhet fjalë edhe në këto dokumente arkivore që Memorie.al i publikon të plota dhe për herë të parë edhe me faksimilet përkatëse.
