Në 63-in kalova kufirin ilegalisht”, historia e dhimbshme e ish-deputetit e diplomatit

WhatsApp Share SHARE Facebook Share

 

Nga Esat Myftari/ Publikohet historia e panjohur e Esat Myftarit me origjinë nga Peja, i cili që në bankat e shkollës së mesme kur ishte anëtar i një grupi djemsh të rinj që kundërshtonin politikën e Beogradit zyrtar ndaj politikës diskriminuese që ushtrohej ndaj popullsisë shqiptare që jetonte në trojet e veta, filloi punë si gazetar te “Rilindja” e Prishtinës nga ku u propozua për korrespodent i Agjensisë TANJUG, por e refuzoi atë dhe në vitin 1963 u detyrua të arratisej dhe të vinte në Shqipëri, me synimin për të kërkuar ndihmë dhe përkrahje nga shteti amë, për organizatën klandestine të “Djemve të Pejës”. Peripecitë e shumta në shtetin amë dhe ndjekjet e vazhdueshme të Sigurimit të Shtetit që gjatë kohës së studimeve në Tiranë dhe periudhës kur shërbente si arsmitar në qytezën e Shëngjinit e fshatrat e Bregut të Matës, ku dhe u arrestua në vitin 1975, pasi kishte kërkuar zyrtarisht riatdhesimin në vëndlindjen e tij Kosovë, duke e dë nuar me dhjetë vite burg me akuzën për “agjitacion e propagandë”, të cilat i vu ajti në kampin e Spaçit. E gjithë historia e dhimbëshme e gazetarit, publicistit, studjuesit, përkthyesit, deputetit dhe diplomatit, Esat Myftari, është e përshkruar me një mjeshtëri nga ana letrare në librin e tij, “Vdekja jote, jeta ime” një roman autobiografik që sapo ka dalë nga shtypi nga Shtëpia Botuese “Lena Graphic Desing” e Prishtinës, dhe me lejen e autorit, do publikohet pjesë pjesë nga Memorie.al

Historia e panjohur e gazetarit, publicistit e shkrimtarit Esat Myftari

Esat Myftari lindi më 16 qershor të vitit 1940, në qytetin Pejës në Kosovë, prej nga është dhe origjina e hershme e familjes së tij. Mësimet e para të shkollës fillore, 7-vjeçaren dhe gjimnazin, i kreu në vendlindjen e tij, duke i përfunduar ato në vitin 1959. Po në vitin 1959, Esati, djaloshi i ri, 19 vjeçar, filloi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit. I dashuruar pas historisë dhe letërsisë, fillon të shkruaj që në moshë të re kur ishte në bankat e shkollës 7-vjeçare dhe në periudhën e fakultetit, bëhet anëtar i Klubit Letrar “Përpjekja” me seli në Qytetin e Studentit të “Beogradit të Ri”, ku afirmohet shpejt dhe here mbas here, shkruan poezi e vështërime kritike letrare, por për shkak të përmbajtjes së tyre, nuk i dërgon për botim.

Në vitin 1961, mbasi kaloi me sukses konkursin përkatës, Esati filloi punë si gazetar në të përditshmen e krahinës së Kosovës, “Rilindja”, ku caktohet të mbulonte kronikën e qytetit të Prishtinës dhe Sindikatat e Kosovës. Po atë vit, i ofrohet një bursë kualifikimi, pranë Agjencisë Jugosllave “TANJUG”, me perspektivën për t’u bërë korrespondent jashtë Jugosllavisë së asaj kohe. Por gëzimi i tij për atë bursë kualifikimi që ishte destinuar për ta dërguar atë në botën e jashtëme, u shua shpejt, pasi specializimi që i ofrohej kishte si kusht antarësimin e tij në Lidhjen Komuniste të Serbisë, gjë të cilën Esati 20 vjeçar, e refuzoi në mënyrë kategorike.

Ndërkohë në vitin 1963, merr pjesë në një grup djemsh të rinj që nuk pajtoheshin dhe ishin kundër politikës që ndiqte Beogradi zyrtar ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe kudo ku ata ndodheshin në trojet e tyre nën Jugosllavi, dhe në emër të “Grupit klandestin të Pejës”, si përfaqësues i tyre, kalon kufirin ilegalisht dhe vjen në Shqipëri. Qëllimi Esatit si përfaqësues i “Grupit ilegal të djemve të Pejës”, ishte për të vendosur kontakte me shtetin shqiptar dhe për të kërkuar mbështetje e ndihma të ndryshme, për mirëfunksionimin e atij grupi djemsh të rinj, që synonte t’i bënte rezistencë politikës diskriminuese të Beogradit zyrtar ndaj popullsisë shqiptare në Jugosllavi.

Në vitin 1974, një pjesë e anëtarëve të këtij grupi arrestohen nga autoritetet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendëshme jugosllave, duke u akuzuar si pjesmarrës në manifestimet e vitit 1964, kohë kur u shpalosën flamujt kombëtar shqiptar nëpër qytetet kryesore të Kosovës dhe kur u ndërmorrën masa të rrepta policore e gjyqësore ndaj tyre. Motoja kryesore e kësaj lëvizjeje masive që ishte dhe e para e këtij lloji në Kosovën e mbasluftës, ishte bashkimi i trojeve shqiptare me shtetin e tyne “amë”, Shqipërinë.

Ndërkohë Esati që ndodhej në Shqipëri, ashtu si edhe disa nga bashkëatdhetarët e tij emigrantë kosovarë në Shqipëri, fitoi një të drejtë studimi dhe në vitin 1965, fillon studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, në degën “Bio-Kimi”. Mbas vitit të tretë të studimeve, i zhgënjyer nga politika zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës si dhe trajtimin që u bëhej emigrantëve kosovarë në Shqipëri, të cilët me ardhjen e tyre në në atdhëun amë, dukej se “nga shiu kishin rëndë në breshër”, i ndërpret studimet dhe kërkon riatdhesimin!

Lexo dhe...  Të shkojnë në hale të gomerëve!” Ish-hetuesi: Urdhri i Hoxhës për arrestimin e Kadaresë

Natyrisht kjo gjë nuk i’u aprovua nga Tirana zyrtare dhe në vitin 1969, Esati fillon punën si arsimtar në shkollën 8-vjeçare të qytezës së Shëngjinit, në rrethin e Lezhës, ku punon deri në vitin 1974, nga ku e transferojnë në fshatin Tale të Bregut të Matës, ku ai gjithashtu punoi me përkushtim. Ashtu si gjatë gjithë periudhës që ishte me punë dhe banim në rrethin e Lezhës, Esati survejohej rregullisht me të gjitha mënyrat nga organet e Sigurimit të Shtetit, edhe në atë shkollë ku thuhej se atë e kishin dërguar me qëllim, pasi i frikësoheshin një arratisje të mundëshme të tij për në Jugosllavi nga Shëngjini, ai arrestohet dhe dënohet me 10 vite heqje lirije, i akuzuar për “agjitacion e propagandë ndaj pushtetit popullor”!

Pasi kryen dë nimin e plotë duke vu ajtur atë në kampin e Spaçit etj., (duke mos përfituar asnjë ditë ulje dë nimi), Esati lirohet prej burgut politik në vitin 1985 e kthehet në rrethin e Lezhës ku kishte punuar dhe jetuar para dë nimit dhe në vitin 1986, fillon punë si punëtor në Fabrikën e Letrës në Lezhë. Po atë vit krijon familje dhe më pas i lindin dy djemtë.

Në vitin 1990, në fillimet e pluralizmit, Esati merr pjesë aktive në lëvizjet popullore për përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe që me krijimin e degës së Partisë Demokratike për rrethin e Lezhës, në fillimin e vitit 1991, për të kaluarën e tij dhe kontributin e madh në fillimin e atyre protestave popullore, ai zgjidhet sekretar i asaj dege.

Po kështu si rezultat i atij kontributi, në zgjedhjet e para pluraliste të 22 marsit të vitit 1991, Esati zgjidhet deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin Popullor, duke përfaqësuar aty zgjedhësit e Bregut të Matës, ku kishte punuar si arsimtar deri ditën e arrestimit në vitin 1975.

Një vit më vonë, në vjeshtën e 1992-it, emërohet në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Diasporës, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë që kryesohej prej ministrit, Alfred Serreqi. Në atë detyrë, Esati punoi me përkushtim deri në vitin 2000, kur u emërua në funksionin e diplomatit pranë Ambasadës Shqiptare në Riad, ku ai qëndroi deri sa doli në pension.

Që nga ajo periudhë kohe, Esati i kushtohet pasionit të tij, shkrimeve, studimeve dhe përkthimeve dhe që nga viti 2011, ai fillon të botojë disa libra, të cilët janë mirpritur nga kritika dhe lexuesit, edhe për shkak të tematikës së tyre, si dhe variantit të gegërishtes që ai ka shkruar ato, gjë e cila ndeshet shumë rrallë në botimet shqiptare, të shtetit amë!

Libri i parë i botuar nga Esat Myftari është “Emrush Myftari”(monografi), dhe pasi tij vijnë: “Kosova dhe Enver Hoxha” (studim), “Profili politik i Esat Mekulit” (monografi)

Si dhe “Vdekja jote, jeta ime”, i cili është një roman autobiografik, ku ai ka përshkruar me një mjeshtëri dhe në mënyrë kronologjike pjesën më të madhe të jetës së tij, që nga familja dhe jeta në Kosovë si gjimnazist, arratisja në Shqipëri, peripecitë e shumta nga survejimet e përndjekja e Sigurimit të Shtetit, arrestimi, hetuesia, gjyqi dhe dërgimi në burgun e Spaçit.

Të gjitha ngjarjet dhe çdo gjë që përshkruhen në librin “Vdekja jote, jeta ime”, janë reale dhe personazhet aty paraqiten me emra dhe mbiemrat e tyre konkretë, ndërsa vetëm ata persona që ndikuan për keq në jetën e tij, (kryesisht, ata të organeve të Ministrisë së Punëve të Brendëshme të asaj kohe, si punëtorë operativë, hetues, policë, titullarë të Ministrisë së Punëve të Brendëshme e të Degës së Punëve të Brendëshme të Tropojës, Lezhës, dëshmitarët në gjyqin e tij, etj.), autori u ka ndryshuar vetëm emrat, duke i dhënë ata me mbiemrat e tyre të vërtetë./Memorie.alNë 63-in kalova kufirin ilegalisht”, historia e dhimbshme e ish-deputetit e diplomatit

(Vizituar 13 here, 1 vizita sot)
WhatsApp Share SHARE Facebook Share