
Paratë nuk do të jenë më vetëm në xhep apo në banka. Në të ardhmen ato mund të ruhen edhe në një portofol digjital të garantuar nga vetë Banka e Shqipërisë.
Vendi po përgatitet për lekun digjital një zhvillim që lidhet me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe modernizimin e sistemit të pagesave.
Projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë hedh bazat ligjore për këtë transformim, duke përafruar legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.
“Banka e Shqipërisë ka të drejtën ekskluzive për të emetuar kartëmonedha, monedha metalike dhe monedha digjitale “Lek”.
Kjo do të thotë se Shqipëria po ndërton kuadrin ligjor për t’u përshtatur me zhvillimet më të fundit monetare në Evropë. Megjithatë, projektligji e bën të qartë se dispozitat që lidhen me fazën e integrimit do të zbatohen vetëm pas anëtarësimit në BE dhe pas adoptimit të euros.
Për qytetarët kjo nuk do të thotë se leku digjital do të jetë një kriptomonedhë si Bitcoin. Nuk do të ketë luhatje të vlerës në treg por do të ketë të njëjtën vlerë si leku që përdorim çdo ditë. Një lek digjital do të vlejë po aq sa një kartëmonedhë fizike.
Disa banka në botë po studiojnë mundësinë e monedhave të tyre digjitale me qëllimin për t’i bërë pagesat më të shpejta ndërsa po përshtaten me zhvillimet teknologjike dhe përdorimin gjithnjë e më të madh të pagesave elektronike.
Ndërkohë projektligji riafirmon se Banka e Shqipërisë do të vijojë të ketë të drejtën ekskluzive për emetimin e monedhës kombëtare. Kjo do të thotë se leku digjital nuk synon të zëvendësojë paratë cash, por të ofrojë një alternativë moderne pagesash, duke e afruar Shqipërinë me modelin që po ndërtohet në Bashkimin Evropian.
