
Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet nesër, më 23 shtator, për të diskutuar shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut. Por, vetë Veliaj ka ngritur dyshime të forta se procedura po zhvillohet në kundërshtim me ligjin.
Veliaj: Nuk jam njoftuar zyrtarisht
Veliaj thotë se deri tani nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar mbi rendin e ditës, akuzat apo materialet mbi të cilat është ngritur iniciativa. “Nuk më është dhënë e drejta për mbrojtje, as fizikisht e as me shkrim”, është shprehur ai, duke akuzuar Sekretarin e Këshillit për tejkalim kompetencash.
Çfarë thotë ligji?
Sipas Ligjit nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”:
- Kryetari i bashkisë shkarkohet vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës, ligjit ose pas një dënimi penal të formës së prerë.
- Kryebashkiaku ka të drejtë të dëgjohet në mbledhje ose të dërgojë shpjegime me shkrim.
- Vendimi i Këshillit merret me 2/3 e votave dhe i kalon Kuvendit për t’u shqyrtuar, ndërsa fjala e fundit i takon Gjykatës Kushtetuese.
Çfarë pritet nesër?
Sekretari i Këshillit ka paralajmëruar se mbledhja do të mbahet në orën 16:00, ndërsa ka lënë mundësi që Veliaj të shprehet edhe me shkrim. Por, nëse procedura vazhdon pa pjesëmarrjen e tij, beteja pritet të zhvendoset në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të vendosë nëse shkarkimi është i ligjshëm apo jo.
