
“Të rënët e Luftës II Botërore pa dallim kombësie, feje, krahine, ideje” është studimi i parë i Akademisë së Studimeve Shqiptare që vjen në këtë 80-vjetor të Çlirimit të Shqipërisë me një shikim ndryshe të asaj që ka ndodhur në Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore.
Historiografia na ka mësuar për 28 mijë dëshmorë, por libri i ri i 5 prej historianëve më në zë në vend, (faqja e parë efekt te emrat), flet për 29.129 të vrarë gjithsej nga të gjitha palët të përfshira në konflikt, pushtues dhe shqiptarë, përfshirë edhe civilët.
“Antifashizmi shqiptar ka qenë gjithëpërfshirës, e thënë ndryshe pluralist. Në vitet e para të luftës pati të vrarë nga civilë të pafajshëm, si dhe nga radhët e luftëtarëve të organizuar në formacione të armatosura. E vërteta historike e atyre viteve që do të shenjonte për dekada fatet e Shqipërisë të pas luftës duhet të shkruhet tashmë pa emocione, pa ndërhyrje dhe mbi të gjitha me mendje të hapur dhe përgjegjësi profesionale. Nëse para disa vitesh historianët vuanin nga censura dhe vetëcensura sot nuk mund t’iu falet kjo.”, – thotë studiuesja Nevila Nika, drejtuese e Akademisë së Studimeve Shqiptare.
