BESIM FUSHA
“Muzgu i Universit…” është fotografia më madhore për në fondin e pronësisë së njerëzve të mençëm… Tregon: “Sfondin Kozmik të mikrovalëve”… Në dritën shëtitëse që u krijua 380 vjet mbas “Big-Bengut…” gjendet historia e origjinës sonë të thellë… Aty mbarten “Farat e Galaktikave” që shumojnë Universin – 13.8 miliard vjeçar… Është fotografia e bërë gjer më tani shumë më në thellësi të Universit, – tha shefi i NASA-s Bill Nelson…
Belgu Xhorxh Lematre, tha: Universi duhet të ketë pasur një ditë pa të djeshme…” Ekuacionet e Ajshtainit, tregojnë evolucionin e Universit nga fëminia e parë deri në moshën e rritun, me yje madhor dhe planete pa fund. Universi lindi 13.8 miliard vjet më parë. Lindi në Shpërthimin e Madh (Bing Beng). Zonja shërbestare e njerëzimit: FOTOGRAFIA… – mrekullia ime hyjnore… – e vërteton çka thamë. Në vitin 2013, Sateliti “Planck”, solli në tokë triumfin më të madh të eksplorimit të Kozmosit: fotografinë e Universit në fëmijërinë e tij. “Planck” udhëtoi mbi katër vjet, përtej 1.5 milionë km, në hapsinën e thellë dhe kapi sfondin kozmik të mikrovalëve… për të dëshmuar lindjen e Universit. Fotografia tregon dritën që u çlirua 380 vjet mbas Big-Bengut. Kur Universi, nga një top i zjarrtë plazme, i nxehtë dhe i errët, nisi të ftohet. Asohere lindën atomet e para dhe drita e saj ishte e lirë të udhëtonte në Univers. Në ndryshimet e vogla të temperaturës së asaj drite gjendet historia e origjinës sonë të thellë… Në ndryshimet e vogla në temperaturën e atij rrëzimi që përkojnë me luhatje të vogla në dendësinë e Universit me moshë 13.8 miliardë vjeçare, u sajua pjella me rëndësi: farat e galaktikave… Qenë këto ndryshime të vogla në brendësi që solli bërthamën ku grumbullohej materia… Përndryshe Universi nuk do të ekzistonte… rrjedhimisht as edhe ne… Fotografia “Muzgu i Universit…” që po lexoni a shikoni, është arritja më madhore… me vlera Universale… Lumturohem ngase po jua bëj të ditun edhe tanë shqiptarëve…
Unë vë dorën në zemër dhe përulem përherë përpara Zonjës time të Madhe: Fotografisë… Përuluni edhe Ju… së paku një herë në vit, më 19 gusht, në ditën Botërore të Fotografisë. (19.08.1839). Ndërsa rrini rehat a emocionues mbi divan përpara TV-ve… kujtoni se pamjen përballë po jua sjell fotografia bujare…
👉 Free Ads in ckemi.net 🤙
FARAT E GALAKTIKAVE
Kur caku i fantazisë njerëzore mbërrin në pragun e lodhshëm, rruga e veprimit për t’u bërë e pranueshme dhe jetësore, mbetet ende e gjatë. Për çdo shpikje. Si kurdo e për gjithçka nga shpikjet që i shërbyen njeriut. Fotografia, po ashtu, shërbestarja zonjë në përmasat e saj, eci e erdhi nga hamendësi e rrugë mundi evoluive, deri në veçanësinë e plotësisë produktive. Është vështirë të thuash se mbetet cak i jetësisë pa u rrokur nga fotografia. Në mikro e makrobotë. Nga bota e përtej bota, në zbërthimet shkencore, te kinematografia e televizioni – te mirësitë e pamatë të tyre – madje, deri në evoluimin kompjuterik, aq të pranishëm e kudondodhshëm në të përditshmen e sotme. Qe shpikja e fotografisë ajo që hapi rrugën e përmasave të pa fantazuara. Mbeten merita lapidare ecuria e asaj shpikjeje dhe rezultantet e vijueshme, ngase, pamohueshëm, njeriu u bë më zot e më i ditur se kurrë, veçanërisht këto pesëdhjetë vjetët e fundit.
✅ New Spot✔
***** 👀 🙆 *****
Ç’ËSHTË NË THEMEL FOTOGRAFIA?
Ngulitja e pamjeve në fletë të posaçme, të ndjeshme ndaj dritës, të riprodhueshme për shumëfishim, mjeshtëria dhe teoria e kësaj fushe. Shkurt: Ndalja e një çasti të pamjes, për t’i shërbyer ecjes së jetësisë.
Fotografia, në kuptimin klasik të fjalës, u shfaq së pari më 1816, por parahistoria e saj shtrihet në thellësi të shekujve. Të mençurit e hershëm, jo vetëm që kuptuan vlerën e ndaljes së pamjeve, por edhe parapanë mundësitë e ecjeve për rrokjen e imazheve. Pesë shekuj p.e.r. Aristoteli vuri re mundësinë e projektimit të imazheve duke vëzhguar thyerjen e diellit gjatë një eklipsi. Nga ku edhe pikënisi ideja e përthyerjes së dritës në një dhomë të errët, që u bë baza e ndërtimit të fotoaparatit. Matematicieni arab Al-Hazen, dishepull i Ptolemeut, flet për Dhomën e zezë, qysh në shek. e 11-të. Më 1515 Leonardo Da Vinçi e përshkruan dhomën e errët me të gjitha hollësitë, duke nisur nga vrima e vogël që lejon depërtimin e dritës. 1550: Zherom Kardan zëvendëson “vrimën e vogël” me një thjerrëz. Albert Durer dhe piktorët e Rilindjes përdorin dhomën e zezë për të vizatuar me saktësi perspektivat e tablove të tyre. Pas 1650-s dhoma e zezë përmban thjerrëza me distanca të ndryshme fokusimi, bëhet e transportueshme. Ajo është tashmë pothuajse një aparat fotografik.(?)
👍 🆗
Louis-Jacques-Mandé Daguerre. (1789-1851) Radhitur i 47-ti në librin e përzgjedhur mes 100 personaliteteve të njerëzimit.
Sipërfaqja e ndjeshme: Veprimi i diellit mbi ngjyrosjen e disa trupave organikë njihej prej kohësh. Arkitekti i Jul Qesarit, Markus Vitruv i këshillonte romakët që tablotë e tyre të mos i ekspozonin në rrezet e diellit. Alkimistët e Mesjetës kishin vënë re nxirjen e kripërave të argjendit kur ekspozoheshin në dritë dhe përdornin nitrat argjendi për të ngjyer fildishin, drurin, flokët. Në shek. XVIII, suedezi K.W.Shell, gjermani J.H.Shulz, zviceriani Senebie, francezi Y.A.C. Sharl dhe anglezi Tomas Wedgwood studiuan këto kundërveprime fotokimike pa ia arritur të fiksonin (stamponin) imazhin e dhomës së zezë.
1814: Nisefor Niepse (1765-1833) ish-oficer i Revolucionit i larguar në Sën-Lu de Varen pranë Shalon-sur-Sonë, nuk njihte pothuajse asnjë nga zbulimet e bëra para tij. Letërkëmbimi i tij i bollshëm me të vëllanë Klod, që ruhet në Muzeun e Shalon-it dhe në Akademinë e Shkencave të Rusisë, përmend edhe kërkimet e tij, e pikërisht shpikjen e një motori me shpërthim baruti… pastaj me naftë. Ai ishte shumë i dhënë edhe pas litografisë (e shpikur nga Alois Senefelder, më 1796).
Niepse dhe Daguerre (viti 1829). Nënshkruesit e aktmarrëveshjes për bashkëpunim.
1816: është data e vërtetë e shpikjes së fotografisë. Niepse përfton imazhet e para mbi letër me klorur argjendi që arrin ta stampojë me acid nitrik – por imazhet janë negative (Letra e 5 majit 1816). Dy nga këta negativë ekzistonin akoma, më 1865
1822: Niepse realizon imazhe pozitive me bitum Judée – të përhapur mbi pllakë qelqi (ky bitum, normalisht i tretshëm në esencën e lavandës e naftës, bëhet i patretshëm aty ku fiksohet (shtypet) nga drita. “Pamje nga një dritare dhe tavolinë e shtruar”, njihen si dy fotografitë e para. Niepse shpiku gjithashtu edhe fotogravurën “Kardinali i Ambuazës”, “Familja e Shenjtë”.
Bulevardi i Tempullit më 1839 nga Daguerre. Fotoja origjinale gjendet në Muzeun e Mynihut.
Niepse dhe Dagerr meritojnë të dallohen. Më 1829, pothuajse i shkatërruar, në moshën 64 vjeçare, Nisefor Niepse (me ndërmjetësinë e opticienit Shëvalie që e furnizonte me thjerrëzat për aparatet e tij), takoi Lui Zhak Mande-Dagerr, piktor dekorator, pronar shfrytëzues i Diorama-s, teatër i panoramave të animuara me lëvizje e lojëra dritash. Me ndihmën e dhomës së zezë, Dagerr bashkonte tablo me pamje shumë reale. I interesuar për rezultatet e Niepse-s, Dagerr bashkohet me të, më 14.12.1829. Autorësinë e shpikjes teksti ia njihte Niepse-s. Por Nisefor Niepse vdiq më 05.07.1833, në moshën 68 vjeçare. Pa u arritur ende suksesi bindës. Pasardhësi i Niseforit, Izidori, nuk diti të mbante vendin e rëndësishëm në shoqatë. Kështu, Dagerr punoi i vetëm dhe rezultatet e tij mbi jodimin e argjendit i pagëzoi me emërtimin Dagerrotipi (1838).
Rezultatet qenë bindëse dhe Akademia Franceze, e njohu zyrtarisht shpikjen. më 19.08.1839.
Parimi i fotografisë mbështetet në tranformimin ose në shkatërrimin e komponentëve minerale ose organike nën efektin e dritës ose të radiacioneve aktinike (rreze ultravioletë, infra të kuqe, rreze X, rreze gama etj.). Figura që përftohet nga ky proces nuk është e qëndrueshme. Kësisoj është e nevojshme të përpunohet shtresa sensibël në solucione të veçanta. Kështu eksperimentimet e mendjeve të pavarura gërryen edhe dekada vitesh. Cardan, më 1550, pati idenë të forcojë ndriçimin duke vendosur një lente përpara vrimës zmadhuese. Po ashtu, alkimistët e dinin që drita transformonte pamjen e klorurit të argjendit të shkrirë. Por, për të bashkuar këto dy fenomene përbërës në fotografi, puqja nuk bëhej, asnjë libër nuk bën fjalë për këtë. Më 1727 J. H. Schulze, tregon se një letër e lyer me gëlqere dhe nitrat argjendi, jep një figurë nën një vizatim kur ekspozohet në diell. Veçantë kështu edhe fizikanti francez Charles ka prodhuar silueta njerëzish. Por duhej pritur Nicephore Niepse të saktësonte shpikjen e fotografisë, duke përdorur si shtresë sensibël bitumin e judesë për të fiksuar pandërprerë pamjen e një peizazhi, në jo më pak se tetë orë. Vite më vonë i eci J. Daguerre arritjet e Niepses. Talbot në Angli (1839) prodhon fletë sensibël me kripë deti dhe nitrat argjendi. Kështu, në përmasën e kuptimit të rëndësisë së shpikjes, u afruan vitet e eksperimentimeve me ecuri të mbarë. Niepce – De Sant Victor (Abel), aplikoi një cipë albumine që përmbante kripëra argjendi mbi pllaka qelqi. (1841). Lagray, më 1850, përdori kollodionin. Gaudin, më 1861, propozoi xhelatinën, por dhjetë vjet më vonë (1871) e vuri në përdorim Madooxi. Përgatitja e emulsioneve me xhelatinë bromur argjendi, e bënë fotografinë më cilësore. Kërkimet e mëvonshme çuan gradualisht në prodhimet cilësore që evoluuan fotografinë e traditës. Imtësia e kokrrizave, shtimi i sensibilitetit kromatik, mundësia për të vepruar lirshëm dhe saktësuar imtësi detajesh brenda kuadratit të pozës, ka qenë preokupimi i vazhdueshëm i shkencëtarëve të industrisë filmike. Dhe fotografia e traditës klasike e përmbushi shkëlqyer misionin e saj. Në të gjithë hapësirën e gjysëm shek. XIX dhe në krejt të përditshmen e shek. XX. Duke dhënë pa fund mirësi. Në çdo imtësi të jetës dhe përtej jetës.
EPOKA DIGJITALE
Fotografia e traditës klasike pothuajse e përmbushi misionin e saj në mbarim të shek. XX. Ajo polli bijat e saj që ndikuan pangjashëm në ecurinë e mençurisë njerëzore. Rikujtojmë këtu kinematografinë, TV-në etj. Shekulli XXI erdhi me nismën e masivizimit të fotografisë digjitale. Që ndryshon thelbësisht mënyrën e marrjes së pamjeve. Në çdo procesion të këtij arti. Duke krijuar një përplasje të vërtetë me rrugëzimin tradicional të marrjeve fotografike. Jo vetëm në tjetërsimin teknik dhe eliminimin e industrisë së përfitimeve me metodën e gjermëtanishme. Por edhe për të qenë më e kollajshme, për rrjedhojë më masive – më e drejtpërdrejtë, d.m.th. më efektive dhe e kontrollueshme pa shumë mundim – më pak e kushtueshme, për t’i lënë hapësirë kimikateve në përdorime të tjera, veçanërisht, nitratit të argjendit, përmasa e të cilit qe vështirë e përballueshme për fotografinë tradicionale.
Ç’ËSHTË NË THELB FOTOGRAFIA DIGJITALE?
Thjesht: Vjelja e figurës në impulse elektronike, zbërthimi teknik për ta manipuluar dhe bërë shërbestare për njeriun. Pikënis me një pikël, grimca më e vogël e dritës dhe ngjyrës në një pamje. Ndodh më tutje një ndërlidhje e “elementit figurativ”. Ngjeshja së bashku e shkrin, më në fund, në “njollëzime” të ngjyrimeve të pastra, për të imituar arritjen e një fotografie të plotësuar. Impresionisti francez i shek. XIX, Xhorxh Sërat, ndërtoi me mundim piktura me pikëza te vogla boje mbi beze. Duke qëndruar pak larg kapej efekti i një figure të plotësuar, ngase, syri i njeriut nuk i dallon ndarjet e piklave dhe njollave aq të vogla. Është rruga që edhe grimcat e argjendit bëjnë në suportin e filmit, për të ndërtuar imazhin fotografik. Krejt ngjashëm, sensori i vogël i një kamere digjitale, mat dritën si ngarkesë elektrike, shndërrohet në ton ose ngjyrë e copëzuar në grimcë. Ndryshimi magjepsës vazhdon: shenja që ndien dritën mund të përpunohet matematikisht. Të dhënat që përfaqësohen në një pikzel mund të transmetohen, ndryshohen, krahasohen, mund të përdoren për të përpunuar krejt veprën figurative. Një fotografi digjitale, kështu, mbetet shumë më pak çudi sesa përfitimi me rrugët tradicionale. Digjitalizmi përpunon elektricitetin e ndriçimit në vend të kimikateve, ul koston dhe bëhet shpejt e përdorshme. Nuk duhet shumë kohë mbas shkrehjes së aparatit: Përmirësimi kompjuterik, printimi në letër, në film ose në kinema. Madje, përmes TV-së, ne mund të marrim drejtpërdrejtë dhe cilësisht ngjarjet e kudondodhura. Shkurt: Mundësitë shkojnë aq larg sa boll të kujtojmë Internetin. Mençuria njerëzore pra, ka arritur të manipulojë masën më të vogël të dritës dhe ngjyrës në ate ndërlidhje të “elementit figurativ”. Që, përherë, kanë qenë rrotull nesh, por, vetëm së fundmi, ne i kapëm dhe vazhdojmë t’i zbërthejmë e bëjmë sa më të dobishme.
Në të vërtetë shkencëtarët i kanë kapur grimcat e dritës dhe ngjyrës qysh në vitet ’60të shekullit XX. Imazhi fotografik qe domosdoshmëri e hiperzhvillimeve të teknikës kozmike. U bë nevojë e dorës së parë marrja e imazheve që nga hapësira e largët. Vetëm imazhet fotografike mund të ishin burim studimi për arritje të mëtejshme. Dhe, çelësi u gjet: te grimcat e dritës… duke e kthyer figurën në impulse elektronike. Që vileshin nga kozmosi. U arrit kështu në bërthamën e imazhit digjital. Që në thelb mban “fshehjen” e fotografisë në thërrmija të vogla drite. Që u emëruan: picture elements (elemente të figurës), prej nga doli edhe termi PIXEL. Çdo element i figurës pozicionohet në foto me një numër të caktuar. Numrat u konvertuan pastaj në kompjuterët ekzistues me procesionin themelor 1’s dhe 0’s. Kështu, imazhet u digjitalizuan. Në fillim me pamje bardhë e zi. Në fillim, po ashtu, me një rezolucion (tashmë të pa përfillshëm): 800X800, për një total 64 mijë pixel që përmbante secila foto. Mijëra numrat që u sollën në Tokë u shndërruan në foto nga laboratorët special të NASA-s. Zbulimi, si kurdo, solli ecjen: U volën pa vonesë edhe foto me ngjyra, nisur nga përpunimi përmes një serie filtrash: e kuqja, jeshilja dhe bluja. Dhe, digjitalizmi i vjeljes së fotos, pikënisi udhën e mbarë. Tashmë edhe udhën e perfeksionimit, në teknikë, në sensorët me pixel e megapixel… për ta bërë sa më masive e të mirëpërdorshme. Tashmë, edhe pse jo pa kundërshti të prodhuesve të teknologjisë tradicionale, fotografia e re po ecën në shinat e ndryshimit të madh. Pasviti dymijë solli epokën tjetër të vjeljeve fotografike. Sigurisht, më komode dhe përherë e më cilësore. Për shërbesa të vlerëshme në hapësirat e pafund të jetësisë dhe nevojave njerëzore.
Fotografia në shek. XXI po sjell vlera madhore në shërbesë të jetësisë. Tani mund të fotografojmë dhe studiojmë 60 milionë Galaktika, me miliarda yje dhe planete. Dhe eksplorimi i Universit vazhdon.
185-VJETORI I SHPIKJES SË FOTOGRAFISË – 19.08.1839
Edhe pse i kontraktuar me Nisefor Niepse dhe i biri: Izidor – Louis-Jacques Mandé-Daguerre, punoi i vetëm për arritjen finale. Arritjen e pagëzoi me emërtimin Daguerréotype (1838). Rezultati qe bindës dhe Akademia Franceze e njohu zyrtarisht shpikjen më 19.08.1839. Këtë vit mbushen plot 185 vjet që kjo datë mbetet përkujtim i gëzuar për mbarë njerëzimin. Edhe pse ende vonoi me vite të përhapej në botë, pothuajse gjithë shek. IX, kryesisht ngase ende duhej perfeksionuar teknika… Në Shqipëri vonoi 24 vjet dhe 4 (katër) ditë më mbrapa: më 23.08.1863.
Pra, këtë vit në Shqipëri, më 2024, përkujtohet 161 vjetori… Në Shqipëri për shumëgjatë qe e vështirë të saktësohej kjo datë. Ngase për fotografinë nisën të botohen shkrime nga shkruetarë që nuk e njihnin historikun. Nisën të botohen albume – i pari në vitin 1982 – që kërkonin saktësi adresimesh dhe shkrime prezantuese në hyrje, ku sajoheshin të paqena… Në mëpastaj përsëritej gabimi i paraardhësit. Derisa gabimi u bë domosdoshmëri që të përzehej, ngase në vitin 1983, Akademia e Shkencave Shqiptare, nën drejtimin e të madhit Aleks Buda, shtroi seriozisht punën për botimin e parë Enciklopedik FESH. Si ilustrator i zërave (shkrimeve) të Fjalorit më takonte mua kjo detyrë. Nisa vajtjet për në Shkodër, ku në fotostudion e Marubëve, gjeta plot pasaktësi. Nisa shkrimin Petro Marubbi “modestia” që lodh përtejkohën… sprovë cvajgiane. Në nja 400 faqe. Ku i dhashë librit edhe një sens letrar mbi të vërtetën historike, me synimin që të ftonte shumë lexues.
Ja dy pasazhe nga libri “Pietro Marubbi”… E dua fort këtë grua. Ngase, në kushsavite, e zhvesha… me goxha mund, edhe në vetmi… dhe, u binda që qenka Eva shqiptare… Adami paska qenë i rren-të… (Më saktë: Hamza… i fotografisë shqiptare, i sajuar në Adam…!?) Unë e dija që Adami ishte i rrent-të… E mbolla dyshimin në kohëvrullin kur “plugoja derrçe” për FESH-in e papamë… macahere, në ditë-netët e sikletshme të vitit 1983. Dhe, e rrita bindjen. Ashtu, mundimshëm, duke grupuar, krasitun e përzënë, për të zgjedhur dhe veshun mendësi… me ç’më duhej. Më adresuar: me ç’i duhej e, ç’meritonte Evi… Ashtu, avash-avash, përanash kyçies së bezdisë… rrekesha papro të grisja tisin e territ të padijes… Dhe, kur e çpështolla ç’fshihte padija, ndritimi erdhi… asohere, pupthi e hovas, shpirtgufac, thashë: … ne shqiptarët nuk kemi Adam!… Kemi Eva… Qenka Evi fillesa… jo Adami fillimi. (në fq. 49)
Ja pra ç’tha scripta manent… Pietro Marubbi nuk e ka takuar kurrë Hamz Kazazin… Hamz Kazazi nuk është burri i fotografisë së servirun si emblema e fillesës shqiptare… As edhe pjella e dytë, medemek: vendi i agjendtë (!?): Leonardo De Martino. Kot!… Asnjëri! Nuk ka Adamë që rreken të shqyejnë brinjë për bijësime e vijimësi të fotografisë shqiptare… Ka Eva… Eva plot vixhut dhe sharm Shkodre, që fatnolli Pietro-n dhe tanë Marubbët vlerëflori… Shkruetarët e mençun të shqipes cytëse n’andrra t’hjedhta… – shkruetarë edhe të Shkodrës së namshme – mbase, s’do të përshpejtonin që ta thonin si e thanë, po qe se nuk do t’i trysnonte vetçensura që gatoi çensura e madhe… U tha si u tha, ashtu përngutun, dhe u la… pra: mbeti pa ndreqie edhe për shkruetarët që pasuan. Përfshirë edhe të madhin Ismail Kadare. (në fq. 214)
Pasazhet që i shkëputa këtu nga studimi 400 faqesh, synojmë të thonë sadopak se fillimet e fotografisë në Shqipëri kanë vazhduar përgjatë të ekspozohen gabim. Fotografia nuk fillon në Shkodër në vitet 1850. Vërtetë Pietro Marubbi erdhi dhe u ngul në Shkodër në mesin e viteve 1850. Por ai iu prezantua Valiut Ismail Haki Pasha se qe inxhinier, arkitekt dhe piktor. Ushtaraku i lartë Ismail Pasha, i caktuar Vali provizor nga Sulltani, iu lut Pietros t’i bënte një pikturë. Është fakt dhe fat domethënës që e kemi pikturën në GKA. Pietro Marubbi erdhi në Shkodër me duar në xhepa dhe pa ngarkesën shumë të rëndë që kërkonte arritja e një fotografie. I ngarkuar me rëndesën e teknikës fotografike dhe i shoqëruar me ekip enkas, erdhi Dr. Josef Székely, fotografi vienez, që e kishte kërkuar për studimet e tij në veriun shqiptar, Georg fon Hani. Me që shkencëtari Georg fon Han (1811-1867) u vonua që të vinte në Shkodër, që nga Greqia, Dr. Josef Székely, bëri fotografinë e parë në truallin shqiptar “Nusja shkodrane”, që unë e quajta Eva shqiptare.
Faleminderit, Dr. Josef Székely! Kape një çast dhe mirëpërcaktove saktësinë e një adresimi të kohësisë… Dhe, kurrë s’t’u tha… dhe kurrë s’e more vesh, se ylli i fatit të përzgjodhi bujarisht për një fillesë mrekulli…(!) Faleminderit nuse Evi!… Ti, sigurisht, nuk e di, por, po ta them: në veçantinë e asoçasteve dritëyjesh, grimcuar dhe hapërndarë njënjëshëm nën purpurin tisperde të reve mburojë… u përzgjodhe parësia e vendit ku linde dhe linda… U pagëzove Eva e fotografisë shqiptare… dhe, diku humbe e, seç paske pritun kurajshëm për t’u ringjallun në Evi e ngopësisë që më jetësoi… Vakisi aty, në Shkodër, në darsmën fatlume të së djelës, në mbasdreke, më 23.08.1863./Gazeta Panorama