
Eraldo Nevruzi u vra nga bashkëpronari i hotelit ku punonte si recepsionist në Dhërmi dy net më parë. Hoteli ku ndodhi ngjara e rëndë ka një tjetër vrasje e cila ndodhi më 1 dhjetor të 2012-ës. Janë dy vëllezërit Iglend dhe Sokol Haxhialiu, që u vranë pasi kishin marrë 200 mijë euro borxh për ndërtimin e këtij hoteli por nuk e kishin shlyer në kohë. Ndërkohë vëllai që jeton Mirvjen Haxhialiu e përfundoi hotelin dhe ndërsa do hapej këtë sezon, informon dritare.net, dhëndri i tij Gerald Shehu vrau recepsionistin Eraldo Nevruzi dhe ia zhduku trupin, në bashkëpunim me dy punonjësit e hotelit.

Iglend dhe Sokol Haxhialiu
Si ndodhi vrasja e vëllezërve Haxhialiu në 2012-ën!
Vrasja e vëllezërve Iglend dhe Sokol Haxhialiu, me origjinë nga Berati, por banues në Tiranë, ndodhi mbrëmjen e 1 dhjetorit 2012 pranë kryqëzimit të Tiranës së Re. Shkak i vrasjes ishte një borxh prej 200 mijë eurosh që mendohej se viktimat Iglend dhe Sokol Haxhialiu i kishin autorit të krimit, Eduard Kurti nga fshati Nikël i Krujës. Dy vëllezërit Haxhialiu i kishin marrë borxh Kurtit shumën në fjalë për ndërtimin e një hoteli në Dhërmi, por nuk kanë arritur ta kthejnë në kohë. Kjo ka ndezur konfliktin mes tyre i cili u mbyll me ekzekutimin e dy vëllezërve.

Vrasësi i dy vëllezërve, Eduard Kurti
Vrasja ndodhi rreth orës 20:00 të 1 dhjetorit 2012-të në bulevardin “Bajram Curri”, në vendin e quajtur ish-stacioni i fundit i Tiranës së Re.
Mendohet se viktimat dhe autorët e krimit udhëtonin në të njëjtën makinë, tip “Mazda” me targa TR9205S. Makina drejtohej nga Sokol Haxhialiu 41 vjeç, i cili ishte dhe pronari i saj. Mendohet se para vrasjes mes viktimës dhe autorit ka pasur një debat për çështjen e borxhit. Nga grupi hetimor mësohet se vrasësi ka qenë i ulur në vendin e parë të pasagjerit, Sokoli në vendin e shoferit dhe Iglendi në sediljen e pasme. Fillimisht autori ka qëlluar, me pistoletë të pajisur me silenciator, me një plumb në kokë Iglendin dhe më pas Sokolin, i cili ndërroi jetë në spital. Vrasësi i dy vëllezërve, i dënuar me burgim të përjetshëm, u arrestua në shtator të 2023-shit në zonën e Ish-Fushës së Aviacionit. /K.C/dritare.net

