
Të dielën, më 12 Maj, ora 11 me orën lokale, kryeministri Edi Rama do të jetë në Athinë, ku do të zhvillojë një takim me bashkatdhetarët atje. Përmes një postimi në Facebook, kreu i qeverisë, u bën thirrje të shqiptarëve që të marrin pjesë. Qeveria greke garanton sigurinë, ndërsa në Partinë Socialiste garantojnë se do të jetë një festë.

GREQI– Tashmë ka një adresë dhe një orar. Në stadiumin ‘Galatsi’ në sallën gjigande në Athinë, të quajtur “Teatri i Krishtlindjeve”, me kapacitet rreth 3500 vende, kryeministri do të zhvillojë takimin me emigrantët shqiptarë në Athinë. Ka qenë vetë Rama që e ka zyrtarizuar bashkë me një ftesë për të gjithë shqiptarët.
“Me ftesën që më në fund ka edhe adresën, duke i ftuar ata ndër ju që janë në Athinë ose rrethina, e që munden ta kalojnë me ne që vijmë nga Shqipëria këtë moment të veçantë krenarie për të gjithë shqiptarët e Greqisë, ju uroj një ditë të mbarë”- shkruan Rama.
Ky takim vazhdon të konsiderohet si një temë e nxehtë në mediat dhe politikën greke, disa prej të cilëve e kanë lexuar edhe si provokim nga pala shqiptare, pasi përkon me 1 vjetorin e arrestimit të Fredi Belerit, për të cilin Shqipëria dhe Greqia u futën në një përplasje politike dhe diplomatike.
