
Zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis ka komentuar deklaratat e kancelarit gjerman, Olaf Scholz se Shqipëria duhet të anëtarësohet në BE, madje duke anashkaluar veton greke.
Këtyre deklaratave Marinakis, i është përgjigjur duke thënë se “Nuk anashkalohet respektimi i rregullave të shtetit ligjor”, referuar ëështjes së kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
“Mendoj se nuk anashkalohet respektimi i rregullave të shtetit ligjor. Çështja e Fredi Belerit nuk është një çështje dypalëshe. Është çështje e shtetit ligjor. Kështu e trajtojmë dhe kështu do të vazhdojmë ta trajtojmë”, tha përfaqësuesi i qeverisë, Pavlos Marinakis, lidhur me çështjen e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Të njëjtën gjë deklaroi edhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në Samitin e djeshëm BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, pasi respektimi i sundimit të ligjit është kurorëzimi i procesit të anëtarësimit. Newsit.gr shkruan se Greqia nuk tërhiqet për çështjen e burgosjes së Fredi Belerit dhe këmbëngul në të drejtën e tij për një proces të drejtë, pasi ai nuk ka mundur të betohet as kryetar i Bashkisë së Himarës, pas zgjedhjes së tij. Qëndrimi i Greqisë po “vendos frenat” në negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
