
Më 5 tetor 1871 lindi Sulejman Pashë Delvina, në Delvinë dhe vdiq në Vlorë më 1 gusht 1933. Ishte atdhetar dhe politikan i shquar shqiptar, kryeministër për periudhën 30 janar 1920-14 nëntor 1920 dhe pjesëtar i qeverisë së Fan Nolit më 1924.
Arsimin e mesëm e kreu ne gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Studimet e larta i kreu në Stamboll në vitin 1898, Universitetin “Mylkie”. U emërua atashe në MPB-në Osmane dhe më pas sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë, si dhe profesor në liceun e Gallatasarait e në gjimnazin e Vefa-s. U bë shef seksioni në MPB dhe drejtor i përgjithshëm i vilajeteve.
Sulejman Pashë Delvina ishte një ndër figurat qendrore të klubit shqiptar të Stambollit. Bashkë me patriotë të tjerë iu kundërvu politikës xhonturke dhe synimeve shoviniste ndaj Shqipërisë të monarkive fqinje. Në korrik 1911 udhëhoqi manifestimin e studentëve shqiptarë në Stamboll për të mbështetur alfabetin dhe kërkesat shqiptare.

Ishte një nga nënshkruesit e thirrjes së 18 nëntorit dorëzuar përfaqësive të Fuqive të Mëdha në Stamboll ku kërkohej të njiheshin të drejtat kombëtare të popullit tonë.
