
Forumet e Sali Berishës vendosën të kërkojnë një strehë të re për zgjedhjet e 14 majit pas humbjes së vulës në Apel.
Në tryezë u hodhën dy opsione, por shumica mbështeti futjen në betejën e pranverës me koalicion.
“Pati ide për koalicion dhe kandidatë të pavarur. Këshilli vendosi që do të hyjmë me koalicion”, tha Edi Paloka, deputet i Partisë Demokratike.
Mbledhjet e fundjavës zyrtarizuan martesën tretë politike mes Berishës dhe Metës, ku vula dhe sigla e partisë së lire por edhe Vangjel Dules do jenë çelësi për të regjistruar kandidatët e primareve.
“Janë disa parti me të cilat kemi marrëveshje. Janë teknikalitete që do të zgjidhen dhe nga kryesia PL, Partia e të Drejtave të Njeriut dhe parti të tjera. Emri i koalicionit nuk është vendosur ende. Nesër regjistrojmë koalicionin në KQZ”, shtoi Paloka.

Para regjistrimit të koalicionit, Berisha tentoi të regjistrojë Partinë Demokratike i pari edhe pse të drejtën me vendim Apeli e ka grupimi Alibeaj, që do i drejtohet të hënën KQZ zyrtarisht.
Pas gjyqit të vulës pala humbëse duhet t’i dorëzojë çelësat e partisë, Enkelejd Alibeajt por ky i fundit bashkë me Lulzim Bashën janë shpallur non-grata nga Sali Berisha. Pasi i morën partinë hakmarrja e Berishës pritet të jetë shpejt si fillim ndaj Lulzim Bashës për të cilin lajmëroi mbështetësit se ka në dorë të dhëna të reja për t’i rihapur procesin për larje parash.
