
Një pastor nga Afrika e Jugut, së bashku me disa influencues të tjerë të krishterë, po përballen me kritika të ashpra dhe tallje publike pasi parashikimi i tyre rezultoi plotësisht i gabuar, transmeton Korrespodenti.
Ata kishin parashikuar se më 23 dhe 24 shtator 2025 do të ndodhte “Rrëmbimi” – një ngjarje apokaliptike ku, sipas besimit të tyre, Jezusi do të merrte papritur në qiell të gjithë besimtarët e vërtetë – dhe Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit. Pasi data kaloi pa asnjë ngjarje, predikuesit u detyruan të dilnin online për të shpjeguar dështimin e tyre, ndërkohë që mijëra ndjekës të zhgënjyer shprehën indinjatën e tyre.
Figura qendrore e kësaj profecie ishte pastori Joshua Mhlakela, i cili pretendoi se Jezusi i ishte shfaqur personalisht në një vegim.
Gjatë një interviste për kanalin CettwinzTV, ai deklaroi: “E pashë Jezusin të ulur në fronin e tij dhe e dëgjova qartë të thoshte: Unë po vij së shpejti.” Ai pretendoi se kthimi do të ndodhte më 23 ose 24 shtator, datë që përkonte me Festën Hebreje të Borive. I kthyer në një sensacion viral, parashikimi i tij u përhap me shpejtësi në mbarë botën, duke bindur një numër të konsiderueshëm njerëzish se Dita e Gjykimit ishte afër.

Në një transmetim të drejtpërdrejtë që më vonë u fshi nga rrjetet sociale, Mhlakela u përpoq dëshpërimisht të menaxhonte situatën teksa minutat kalonin. Ai u kërkoi ndjekësve të tij të ishin të duruar, duke këmbëngulur se “Zoti është rrugës”. Me kalimin e orëve dhe me afrimin e mesnatës, pasiguria e tij u bë më e dukshme.
