
Nga viti i ardhshëm në Shqipëri do të nisë operimet teknologjia e rrjetit 5G.
Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Tomi Frashëri tha se fillimisht kjo teknologji do të nisë nga qytetet e mëdha të vendit.
“Aktualisht kemi nxjerrë në ankand brezin 3.5 gigahertz dhe ka interes për ta blerë nga operatorët që të përdoret në zhvillimin e shërbimit 5G. Vitin tjetër do të fillojë zbatimi, sigurisht që nuk do të kemi që nga 1 janari shërbim 5G në telefona, por mund të duhet pak më tepër kohë që të arrihet tek ajo, pasi rreth 6 muaj mund të kërkojë rregullimi i rrjetit nga operatorët. Kjo teknologji kërkon një investim shumë të madh financiar dhe fillimisht do të fillojë zbatimin në qytetet e mëdha të vendit”, tha ai.
Gjenerata e sistemeve celulare, e cila po zhvillohet aktualisht, rrit shpejtësinë e të dhënave të rrjeteve 4G me më shumë se 10 herë, duke përmirësuar teknikat e përdorimit te frekuencave.
I pyetur mbi abuzimet me çmimet e paketave, Frashëri u shpreh se dominimi i tregut nga vetëm dy operatorë mund të ndikojë në rritjen e çmimeve të shërbimeve celulare. Megjithatë, kjo nuk është akoma e sigurt, pasi ky treg është akoma në proces monitorimi nga AKEP.
