
Projekt i ri mbi shkencat ligjore, për forcimin e luftës kundër krimit.
Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe Ambasada Britanike në Tiranë kanë nisur prej datës 25 tetor, projektin e ri trevjeçar për zhvillimin e shkencave ligjore, biometrikës dhe menaxhimit të të dhënave penale në Shqipëri. Projekti “Shkencat Ligjore për Shqipërinë” do të mundësojë që sistemet shqiptare të njihen në nivel ndërkombëtar, në mënyrë që provat të pranohen nga gjykatat në mbarë botën. Ky financim është pjesë e 2.8 milionë GBP që Mbretëria e Bashkuar po investon për përmirësimin e shkencave ligjore dhe ekzaminimeve biometrike në Shqipëri.

Gjatë aktivitetit për prezantimin e projektit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku u shpreh:
“Ky program do të sigurojë përmirësimin e cilësisë së provave shkencore, rritjen e përdorimit të provave shkencore në luftën kundër krimit të organizuar, emigracionit të paligjshëm dhe trafikimit, si dhe minimizimin e rreziqeve ndaj jetës dhe pronës së qytetarëve. Gjithashtu, ky program do t’i ofrojë Institutit të Policisë Shkencore dhe sektorëve të tij, mundësinë për të realizuar akreditimin ndërkombëtar, si dhe anëtarësimin e plotë në Rrjetin Europian të Instituteve të Policisë Shkencore (ENFSI)”.
E Ngarkuara me Punë e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Mia Marzouk, tha:
“Mbretëria e Bashkuar ka një histori të gjatë në mbështetjen e zhvillimit të ekspertizës kriminalistike në Shqipëri. Ky projekt tregon se si miqësia historike mes dy vendeve tona është kthyer në një partneritet me ndikim të vërtetë ndërkombëtar.”
Projekti “Shkencat Ligjore për Shqipërinë” do të:
• Rrisë kapacitetet për identifikimin e kriminelëve nëpërmjet të dhënave biometrike dhe do të zgjerojë proceset e menaxhimit të të dhënave penale në Shqipëri;
• Sigurojë asistencë teknike për mbledhjen dhe analizën e provave shkencore në mbështetje të ndjekjes penale, për t’i mundësuar Institutit të Policisë Shkencore (IPSH) të përmbushë kriteret ndërkombëtare të akreditimit (ISO17025). Kjo do ta bëjë më të vështirë kalimin e kufijve ndërkombëtarë nga njerëzit që përpiqen t’i shpëtojnë drejtësisë;
• Ndihmojë Policinë, prokurorët dhe profesionistët e tjerë të drejtësisë penale, për të realizuar akreditimin ndërkombëtar (ISO17020) në fushën e hetimit të vendngjarjes, në mënyrë që përpunimi i provave të mbledhura në vendngjarje të bëhet në mënyrë uniforme dhe të pranohet nga gjykatat në Shqipëri dhe në mbarë botën;
• Ofrojë ndihmesë për qeverinë e Shqipërisë, në përditësimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator në mbështetje të shkencave ligjore dhe ekzaminimeve biometrike, duke përfshirë zhvillimin e një strategjie kombëtare për shkencat ligjore në Shqipëri.
Ky është një projekt ambicioz që do të kërkojë ndryshime të konsiderueshme në proceset e brendshme, praktikat dhe kulturën e punës, jo vetëm në Institutin e Policisë Shkencore, por edhe në institucionet e drejtësisë penale. Duke pasur parasysh angazhimin dhe aftësitë e stafit të Institutit, Policisë, prokurorëve dhe profesionistëve të tjerë të drejtësisë penale, Mbretëria e Bashkuar ka bindjen se objektivat do të arrihen plotësisht.
Projekti do të lehtësojë anëtarësimin me të drejta të plota të Shqipërisë në Sistemin Evropian të të Dhënave Penale (ECRIS) dhe në sistemin PRűM të shkëmbimit të të dhënave biometrike, duke i lejuar Shqipërisë që të shkëmbejë të dhëna të sakta për dënimet, profilet e ADN-së dhe gjurmët e gishtërinjve në të gjithë Evropën, duke kontribuuar në integrimin e Shqipërisë me strukturat e BE- së dhe mekanizmat e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë penale.
Projekti do të punojë, gjithashtu, me gjyqësorin shqiptar, për t’u siguruar që provat që paraqiten, të jenë të kuptueshme. Kriminalistika do të luajë një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit pasi paraqitja e provave shkencore të qarta dhe të pakundërshtueshme do ta bëjë të vështirë mbylljen e paligjshme të çështjeve. Provat shkencore mbështesin forcimin e të drejtave të njeriut, pasi ato mund të përdoren për të dhënë si dënimin, ashtu edhe pafajësinë.
Projekti “Shkencat Ligjore për Shqipërinë” do të zbatohet nga partneriteti i autoriteteve shqiptare, Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, Sustainable Criminal Justice Solutions dhe TAG International.
