
Shkencëtarët kanë njoftuar se kanë arritur të krijojnë minj me dy baballarë biologjikë, duke gjeneruar vezë nga qelizat mashkullore.
The Guardian shkruan se kjo mund të hapë rrugën për trajtime të reja për format më të rënda të infertilitetit, por edhe të rrisë perspektivën joshëse që në të ardhmen çiftet e të njejtit seks të jenë në gjendje të kenë fëmijë biologjikë së bashku.
“Ky është rasti i parë i krijimit të ovociteve të fuqishme të gjitarëve nga qelizat mashkullore”, ka thënë Katsuhiko Hayashi, drejtues i projektit në Universitetin Kyushu në Japoni.
Ai është i njohur ndërkombëtarisht si një pionier në fushën e vezëve dhe spermës së rritur në laborator.
Hayashi e ka prezantuar zhvillimin në Samitin e Tretë Ndërkombëtar mbi Redaktimin e Gjenomit Njerëzor në Institutin Francis Crick në Londër.
Ai thotë se do të jetë teknikisht e mundur të krijohet një vezë e qëndrueshme njerëzore nga një qelizë e lëkurës mashkullore “brenda një dekade”.
Kjo është hera e parë që vezët e qëndrueshme janë kultivuar nga qelizat mashkullore. Pas minjve, ekipi i Hayashi po përpiqet të përsërisë këtë arritje me qelizat njerëzore, megjithëse mendohet se do të ketë pengesa të rëndësishme.
“Thjesht në aspektin teknologjik, do të jetë e mundur te njerëzit edhe në 10 vjet”, ka thënë Hayashi, duke shtuar se ai personalisht do të ishte në favor që teknologjia të përdoret klinikisht për të lejuar dy burra të kenë një fëmijë.
Ndër të tjera, kjo teknikë do të mund të aplikohet edhe për trajtimin e formave të rënda të infertilitetit, duke përfshirë gratë me sindromën Turner.
Krijimi i fundit është përshkruar nga dekani i Shkollës Mjekësore të Harvardit, George Daley si “magjepsës”, por ai ka shtuar se krijimi i gameteve të rritura në laborator nga qelizat njerëzore do të ishte më sfidues, sesa për qelizat e miut.
“Ne ende nuk e kuptojmë mjaftueshëm biologjinë unike të gametogjenezës njerëzore për të riprodhuar punën provokuese të Hayashit te minjtë”, është shprehur ai.
Te minjtë rreth 600 embrione të mbjella, kanë rezultuar në lindjen e shtatë minjve të vegjël. Minjtë duken të shëndetshëm, me jetëgjatësi normale dhe po rriten normalisht.
j.l./ dita
