
Gentjan Bejtja dhe Klodian Stafuka, janë dy personat e paraqitur në spitalin e Traumës mbrëmjen e sotme, njëri i plagosur me armë zjarri në krahë, ndërsa tjetri mbeti i plagosur pasi mjeti që drejtohej nga Bejtja humbi kontrollin!
Ngjarja ka ndodhur në aksin e Fushë-Krujë-Tiranë, pranë një karburanti, ndërsa të dy të plagosurit janë paraqitur në spital rreth orës 18:00, siç edhe njoftoi policia më herët.
Bejtja mbeti i plagosur në krah me armë zjarri. Nga të shtënat, ai ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga, ku si pasojë, është dëmtuar Klodian Stafuka i cili ishte pasagjer në makinë.
Gentjan Bejtja është një emër i njohur për policinë dhe drejtësinë shqiptare. Bejtja ishte personi që së bashku me Enver Stafukën vodhën veturën e përdorur në vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt në vitin 2013. Ata u arrestuan të dyshuar për vjedhjen e veturës BMW, e përdorur në vrasjen e kryekomisar Lamajt.
Ndërkaq, kujtojmë se në shtator të vitit 2016, ndaj tij është organizuar një atentat me tritol. Bejtja po udhëtonte me makinën e tij tip “Tuareg”, me targë “AA 020 BH”, në fshatin Nikël të Krujës, kur nga poshtë mjetit shpërtheu eksplozivi që e dëmtoi rëndë në këmbë.

Ai arriti t’i shpëtonte atentatit për shkak të sasisë së vogël të eksplozivit të vendosur, çka më pas, hetuesit e cilësuan si një paralajmërim.
