
E rëndë ajo që ka ndodhur këtë mëngjes kur një shpërthim i fuqishëm gazi në qytetin kinez Shenyang ka plagosur dhjetëra persona. Deri tani mësohet se të paktën 3 persona kanë humbur jetën.
Shpërthimi masiv u ndje rreth orës 8:30 të mëngjesit me orën lokale të enjten, raportuan mediat shtetërore , duke vënë në dukje se nuk është e qartë se çfarë e ka shkaktuar shpërthimin deri më tani. Më shumë se 30 persona u plagosën dhe të gjithë u dërguan në spital.
Pamjet në mediat sociale tregojnë momentin e shpërthimit, nga i cii u ngritën re të mëdha tymi, në të gjithë zonën.
Rrënojat mund të shihen të shpërndara në të gjithë zonën, ndërsa ndërtesat dhe makinat aty pranë duket se kanë pësuar dëme katastrofike.
Shpërthimi ka origjinën në një restorant barbeque në një rrugë të zënë të qytetit Shenyang, sipas raporteve lokale të cituara nga Reuters, i cili gjithashtu vuri në dukje se asgjë nuk mbetet nga objekti përtej “trarëve strukturorë të ekspozuar”. Më shumë se 100 persona të ndihmës së parë dërguan në vendngjarje, thanë zyrtarët.

