Traktati i Lozanës, fatkeqësia e trojeve dhe e popullsisë çame

WhatsApp Share SHARE Facebook Share

Dr. Hekuran Rapaj

Me gjithë shpresat që ushqenin shqiptarët te Konferenca e Paqes e Versajës, kjo Konferencë nuk solli asnjë ndryshim në gjendjen e popullsisë shqiptare, që kishte mbetur nën qeverisjen greke. Gjendja u ndërlikua, bëhej gjithnjë e më e mprehtë dhe ngjarjet rrokulliseshin shpejt në verën e vitit 1922, pas disfatës greke në luftë me Turqinë, në Azinë e Vogël. Të gjitha palët përgatiteshin për konferencën e paqes, që Fuqitë e Mëdha e të Lidhjes së Kombeve, propozonin të mbahej në Lozanë.

Konferenca e Lozanës filloi punimet më 21 nëntor të vitit 1922. Qeveria e Ankarasë ruajti qëndrimin themelor, se Turqia duhej trajtuar si një vend i pavarur e sovran, i barabartë me të gjithë të tjerët që përfaqësoheshin në konferencë. Në diskutimin e çështjeve që lidheshin me kontrollin e financave dhe të drejtësisë turke, mbrojtjen e pakicave, kapitullimet, ngushticat e të tjera si këto, Turqia, në mënyrë absolute nuk u lëkund përballë çdo propozimi që mund të prekte sovranitetin turk. Nën monitorimin e Fuqive të Mëdha dhe të Lidhjes së Kombeve, Traktati i Lozanës u nënshkrua më 30 janar të vitit 1923.

Së fundmi, në Traktatin e Lozanës, qëndron dhe një marrëveshje e lidhur veçmas mes Turqisë dhe Greqisë, e cila caktoi një shkëmbim të detyruar të popullsisë që përfshinte afro 1.3 milionë grekë dhe gjysmë milioni turk gjithsej. Ajo përfshinte të gjithë grekët që jetonin në Anadolli dhe në Traki, me përjashtim të atyre që kishin jetuar në Stamboll përpara vitit 1918, si dhe të gjithë turqit në Greqi, përveç atyre në Trakën Perëndimore. Shkëmbimi në të vërtetë kishte filluar gjatë ditëve të fundit të Luftës për Pavarësinë e Turqisë, kur qindra mijëra grekë u shpërngulën nga Izmiri në Greqi. Kjo marrëveshje i bëri palët shumë më homogjene se më parë.

Mirëpo, me këto vendime, popullsia myslimane shqiptare çame kërcënohej nga një rrezik i madh, nga një fushatë e re shpërnguljesh masive. Duke filluar nga dhjetori i vitit 1922, përpara se të nënshkruhej Traktati i Lozanës, përfaqësuesit e popullsisë e të shoqatave çame i dërguan qeverisë shqiptare disa memorandume, në të cilat vihej në dukje se autoritetet vendore greke, në bashkëpunim me përfaqësues të institucioneve fetare ortodokse në Janinë, të komiteteve vorioepirote etj., kishin projektuar shpërnguljen e popullsisë shqiptare dhe kolonizimin e viseve të tyre me refugjatë grekë. Në të vërtetë, ky kolonizim tanimë kishte filluar, refugjatë grekë, të sjellë nga Turqia, po vendoseshin në Margëlliç, Pargë, Gumenicë, Filat etj.

 

 

 

 

Ndërkaq, qeveria shqiptare, duke u mbështetur në Traktatin e Lozanës dhe në detyrimet që qeveria greke kishte marrë me Traktatin e Sevrës (në periferi të Parisit), më 10 gusht 1920, ndërmjet aleatëve e Turqisë,  protestoi pranë Fuqive të Mëdha e pranë Lidhjes së Kombeve për përndjekjet e popullsisë çame. Me kërkesën e qeverisë shqiptare, më 11 e më 19 janar 1923, çështja e popullsisë shqiptare myslimane në trojet shqiptare në Greqi, u diskutua në Konferencën e Lozanës. Në mbledhjen e saj të 19 janarit 1923 u parashtruan argumente bindëse për shqiptarësinë e kësaj popullsie. Më 20 janar 1923, kryetari i Seksionit të Pakicave në Konferencën e Lozanës, z. Montanja (Montagna), në një letër drejtuar Mehdi Frashërit, i deleguari i shtetit shqiptar pranë Konferencës së Lozanës, theksonte se më 19 janar 1923, përfaqësuesit turq dhe ata grekë deklaruan qartë se pakicat shqiptare myslimane të Greqisë e ortodoksët shqiptarë të Turqisë ishin të përjashtuar nga shkëmbimi i detyruar i popullsisë greke e turke, që duhej të bëhej ndërmjet Greqisë e Turqisë. Ky përfundim u shënua në procesverbalet e Konferencës dhe kishte vlerën e një deklarate zyrtare, që shërbeu si pikë referimi për qëndresën e popullsisë shqiptare kundër shpërnguljes me dhunë në Turqi, si edhe për mbrojtjen e saj nga ana e qeverisë shqiptare.

Qeveria greke nxori urdhëresa zyrtare për përjashtimin nga shkëmbimi të popullsisë shqiptare myslimane. Por si përherë, në kundërshtim me ato që nxirrte vetë e në mënyrë të kundërligjshme, nënguvernatorët në Prevezë, Paramithi, Margëlliç, Filat, në krahinat shqiptare të Konicës, të Kosturit, të Follorinës etj. nxorën njoftime zyrtare, sipas të cilave të gjithë shqiptarët myslimanë do të dërgoheshin në Azi. Në vjeshtën e në dimrin e vitit 1923 u duk qartë se ishte planifikuar një strategji e tërë për shpërnguljen e shpronësimin e popullsisë shqiptare dhe për kolonizimin e trojeve të saj me refugjatë grekë të ardhur nga Anadolli. Shqiptarëve myslimanë iu hoq e drejta e votës për zgjedhjet parlamentare, u dha urdhër të liroheshin 75 përqind e shtëpive të tyre për të vendosur refugjatë. Në të vërtetë shtëpitë po rekuizoheshin. Sipas vendimeve të njëanshme të mëparshme të viteve 1917 e 1919, shqiptarëve iu hoq e drejta e shitjes së pasurisë së patundshme. Nga shtatori i vitit 1923, ky kufizim u shtri edhe në shitjen e pasurive të luajtshme. Shqiptarëve u ishte hequr gjithashtu prej kohe e drejta për të dhënë me qira pronat e tyre me një afat prej më shumë se një viti.

Për të goditur më tej popullsinë shqiptare të Çamërisë u shfrytëzua zbatimi i reformës agrare, që u shpall në vitin 1920. Sipas saj dhe sipas akteve të mëvonshme ligjore, do të prekeshin me shpërblim vetëm sipërfaqet prej mbi 30 hektarë tokë. Ndërkaq, u urdhërua që në çifligjet e caktuara për shpronësim sipas reformës agrare, në kundërshtim me legjislacionin grek, të mos u jepej prodhimi pronarëve shqiptarë gjersa të vendosnin komisionet përkatëse të shpronësimeve. Ky urdhër përfshiu edhe rekuizimin e prodhimeve të magazinuara, të shtëpive, të dyqaneve, të kafeneve etj. Urdhra të tillë çonin në varfërimin e mëtejshëm të pronarëve myslimanë shqiptarë, duke sjellë uri e deri vdekje në radhët e fshatarëve të vegjël. Në kundërshtim me ligjin agrar, u shpronësuan pronarët edhe kur kishin sipërfaqe më të vogla se 30 hektarë. U zbatua forma e shpronësimit “të fshehtë”, kur shteti grek merrte në duart e tij “tokat e braktisura” etj. Me këto rrugë, fshatarë grekë, refugjatë e madje shqiptarë të krishterë shtinë në dorë shumicën e pronave bujqësore të popullsisë myslimane shqiptare. Keqtrajtimeve të shqiptarëve nga autoritetet vendore e nga xhandarmëria iu shtuan edhe ato të bandave, që filluan të qarkullonin në këtë periudhë në rrethinat e Janinës, të Margëlliçit, në Filat etj., duke e bëre të padurueshme jetën e popullsisë shqiptare.

Në këto rrethana u shtua trysnia mbi popullsinë shqiptare myslimane, për ta detyruar të pohonte se ishte me kombësi turke dhe se dëshironte të mërgonte në Turqi. Familje të tëra, të mbetura në një gjendje të mjerueshme, të paditur, të gënjyer nga propaganda greke e, në disa raste, edhe nga klerikë fanatikë ose të korruptuar myslimanë, të mbetur pa prona e pa shtëpi, u deklaruan si turq dhe u shpallën si të shkëmbyeshëm.

Megjithatë, shumica më e madhe e popullsisë shqiptare deklaroi se ishte shqiptare, se përkatësia fetare nuk mund të identifikohej me kombësinë, se nuk kishte asgjë të përbashkët me popullsinë turke nga kombësia, nga gjuha e nga zakonet dhe se kishte luftuar kundër sundimit osman. Në praktikë u hodhën hapa të rinj për spastrimin etnik të trojeve shqiptare.

Kjo gjendje nuk ndryshoi edhe pas fillimit të veprimtarisë së Komisionit të Shkëmbimit të Popullatave, i ngritur nga Lidhja e Kombeve dhe i quajtur “Komisioni Mikst”, me kryetar spanjollin gjeneral De Lara. Ky Komision arriti në Athinë në vjeshtë të vitit 1923. U krijuan gjithashtu nënkomisioni përkatës, për krahinën e Çamërisë, në të cilin bënin pjesë një përfaqësues turk, një grek dhe një i paanshëm evropian, të caktuar nga Lidhja e Kombeve. Mirëpo, përfaqësues shqiptar nuk kishte. Komisioni kishte për detyrë që, duke u mbështetur në deklaratën e 19 janarit 1923, të mos lejonin shkëmbimin e popullsisë shqiptare myslimane. Ato duhej të ndërhynin në rastet e kundërshtimeve nga shqiptarët dhe vetëm me miratimin përfundimtar të Komisionit Mikst do të merreshin vendimet përfundimtare.

Për shkëmbimin e popullsive u ngritën pranë autoriteteve shtetërore greke disa zyra të posaçme, por shqiptarët myslimanë autoktonë kalonin në sprova të gjata për të dëshmuar origjinën e tyre shqiptare, gjë që ishte tepër e vështirë; popullsia shqiptare edhe pse ishte autoktone në këto troje nuk kishte jetuar brenda tokave të shtetit shqiptar, të krijuar në vitin 1912, gjë që shfrytëzohej nga administrata greke për t’i mohuar asaj kombësinë.

Në praktikë, për të vërtetuar kombësinë, shqiptarëve myslimanë u duhej të kalonin nga zyrat vendore në ato qendrore, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në nënkomisionet e Komisionit Mikst, ku i nënshtroheshin hetimeve përkatëse për gjuhën, për traditat, për deklarimet e tyre mbi kombësinë etj. Edhe kur u njihej kombësia nga autoritetet greke, kërkohej një certifikatë përfundimtare nga Komisioni Mikst. Në rastin kur shqiptarët cilësoheshin të shkëmbyeshëm, nuk lejoheshin për vite të shisnin pasuritë e tyre të paluajtshme. Në këtë mënyrë shqiptarët, që detyroheshin të shpërnguleshin, viheshin në kushte të mjerueshme financiare, ndërsa ata që shpëtonin, duhej të përballonin vështirësi të pafund në veprimet e nevojshme me autoritetet vendore, gjyqësore, për të rimarrë pronat dhe pasuritë, që në shumë raste nuk arritën t’i marrin. Ato mbetën në duart e refugjatëve grekë, të shtetit e të Bankës Kombëtare Greke. Një fatkeqësi e jashtëzakonshme për shqiptarët e Çamërisë.

Në përgjigje të protestave të popullsisë çame dhe të qeverisë shqiptare, Këshilli i Lidhjes së Kombeve, në seancën e 10-të të Sesionit të 27-të, më 17 dhjetor 1923, trajtoi posaçërisht çështjen e myslimanëve shqiptarë në Greqi. Këshilli miratoi një rezolutë të posaçme për çështjen çame, ku ngulte këmbë që nga pala greke të zbatohej Deklarata e 19 janarit 1923, për “mosshkëmbimin e popullsisë shqiptare në Greqi”. Një ndihmë të veçantë për këtë dha edhe konsulli i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, Benedikt Blinishti, një nga projektuesit e zbatuesit kryesorë të politikave të shtetit shqiptar për çështjen çame. Ai këmbënguli që qeveria greke të shpjegonte qartë se ç’kuptonte me termin mysliman “me prejardhje shqiptare” dhe që ajo të hartonte sa më parë regjistrat përkatës për këtë popullsi, të cilat nuk ishin në Greqi.

Në vitet 1923, 1924, 1925 deri në pranverën e vitit 1926, edhe shqiptarët myslimanë të Çamërisë, të Konicës, të Janinës etj. iu nënshtruan në përmasa më të mëdha shkëmbimit dhe përndjekjeve në të gjitha drejtimet. U hartuan listat e shqiptarëve myslimanë të parashikuar për shkëmbim, të cilëve iu rekuizuan shtëpitë e pasuritë në dobi të refugjatëve grekë. Në vitin 1925 dhe në fillim të vitit 1926, nga 3 419 shtëpi myslimane dhe 535 të krishtere që kishte në Çamëri, refugjatët grekë u sistemuan në 1 943 shtëpi myslimane dhe në asnjë shtëpi greke a të krishtere shqiptare. Pronarët shqiptarë u vendosën në anekset e shtëpive të tyre, në stalla, në fusha etj., në kushte të padurueshme jetese. Popullsia çame protestoi në të gjitha organet e shtetit grek. Megjithëse autoritetet greke i paraqitën këto masa si të përkohshme, ato morën në shumë raste formë përfundimtare. Përveç shtëpive, edhe arat, vreshtat, ullinjtë, prodhimet etj. ranë në duar të refugjatëve grekë. E kështu veproi qeveria greke, fqinji jonë jugor, duke e thelluar ende plagën e përgjakshme gangrenë të Çamërisë.

Në gusht e shtator të vitit 1924, qeveria shqiptare e shtroi përsëri çështjen çame në Lidhjen e Kombeve. Ajo kërkoi që çështja e origjinës të trajtohej me kujdes nga Komisioni Mikst dhe e kritikoi këtë forum për njëanshmëri, pse kishte pranuar të shkëmbehej një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare myslimane. Në sesionin e 30-të të Lidhjes së Kombeve, më 29 shtator 1924, ku mori pjesë vetë kryetari i qeverisë shqiptare, Fan Noli, u dukën frytet e ndërhyrjes shqiptare. U ngarkua një raportues për të grumbulluar të dhënat përkatëse, z. De Leone, dhe sipas propozimeve të tij në dhjetor të atij viti, u formua një komision i ri mandatimi i Lidhjes së Kombeve me një përfaqësues turk, një grek dhe tre anëtarë nga shtete asnjanës. Ky komision, i pavarur nga Komisioni Mikst, kishte kompetenca të plota për të marrë në mbrojtje myslimanët shqiptarë në Greqi. Ai do të mblidhte të dhëna konkrete, kryesisht në fshatrat myslimane në Çamëri, në Konicë, në Janinë, në Prevezë etj.

Në qershor 1925, Komisioni ndërmori një turne në Epir, kryesisht në qytetet e Gumenicës, të Janinës e të Konicës, duke kërkuar që banorët e fshatrave të Çamërisë të paraqiteshin pranë tij. Hetimet nuk qenë të plota, madje gjatë këtij turneu, nuk pati rënie a zbutje të ndjeshme të shkëmbimit të shqiptarëve. Në disa raste, ky Komision ishte i pranishëm në dëbimin e shumë shqiptarëve, si p.sh. në qytetin e Konicës.

Në verën e vitit 1925, një rrezik i ri u paraqit përpara shqiptarëve, kur palët turke e greke, në korrik të atij viti, pranuan shkëmbimin e 5 000 shqiptarëve të tjerë myslimanë të Epirit. Si rrjedhim i mosmiratimit të kësaj marrëveshjeje nga Komisioni Mikst dhe nga ai i Mandateve, ajo nuk u zbatua. Por nënkomisioni i Epirit miratoi dërgimin në Azi të Vogël të 800 shqiptarëve nga fshatrat çame të Gardhiqit e të Dhragomisë, fshatra me një histori të gjatë vuajtjesh, masakrimi, shpërnguljesh etj., që nga viti 1913.

Më 10 dhjetor 1925 i deleguari i qeverisë shqiptare, Mehdi Frashëri, në një nga seancat e Këshillit të Lidhjes së Kombeve bëri një ekspoze të hollësishme e tronditëse të gjendjes së shqiptarëve në Çamëri, Konicë, Follorinë, Kostur etj. Këshilli i Lidhjes së Kombeve e trajtoi këtë çështje në hullinë e respektimit të të drejtave të pakicave kombëtare. Ai mori vendim që t’i tërhiqej vëmendja qeverisë greke dhe Komisionit Mikst për të mbrojtur popullsinë çame dhe që çështja të kalonte në një sesion tjetër, në mars 1926. Po ende dhe sot, kjo maskaradë është e mbyllur me dëshirën jo të mirë, të të pashpirtëve, në morinë e letrave të mbyllura në moçalin e fëlliqur të traktateve dhe marrëveshjeve, që shumica e tyre, Shqipërisë, si kanë bërë asnjë dobi.

Shkëmbimi i popullsisë, megjithëse zyrtarisht ishte pezulluar, vijoi ende. Në janar të vitit 1927, qeveria e Kondilisit nisi një fushatë të re të shpërnguljes së shqiptarëve. Ajo i kërkoi qeverisë turke t‘i hapte prapë portat për popullsinë çame. Ankaraja e kundërshtoi këtë kërkesë me argumentin se binte në kundërshtim me vendimet e Lidhjes së Kombeve, me vetë angazhimet e qeverisë greke dhe me kërkesat e drejta të popullsisë çame myslimane. Por presionet dhe diskriminimi i vazhdueshëm, moskthimi i pasurisë, jetesa e padurueshme etj., bënë që herë pas here familje e grupime të caktuara të popullsisë të kërkonin të largoheshin. Shpërngulja e detyruar dhe shkëmbimi i popullsisë vazhdoi, megjithëse me ritme më të ulëta, deri në fund të viteve ’20 dhe në vitet ’30. Sipas raportit të delegatit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, në dhjetor 1928, nga viti 1924 deri më 1926 ishin shpërngulur me forcë rreth 40 000 shqiptarë të Follorinës, të Kosturit etj. dhe mbi 20 000 shqiptarë myslimanë të Epirit, numër ky që erdhi duke u rritur. Sipas statistikave greke të vitit 1937, në 279 fshatra të Çamërisë, duke përfshirë edhe rritjen e popullsisë në këto vite, kishte 33 000 shqiptarë myslimanë, 59 419 shqiptarë ortodoksë dhe 20 000 grekofonë me origjinë shqiptare.

Në këtë periudhë kishte mbetur pa u zgjidhur çështja e kthimit të pasurive të shqiptarëve myslimanë, nënshtetas grekë, të deklaruar pas vitit 1926 të pashkëmbyeshëm, si dhe dëmshpërblimi i tyre. Për kthimin e pasurive kërkohej përsëri verifikimi i dokumenteve të kombësisë shqiptare në zyrat përkatëse greke, që pothuajse nuk funksiononin; kërkohej gjithashtu një certifikatë nga Komisioni Mikst në Stamboll, që ishte e vështirë të merrej sepse duhej të përballoheshin gjyqe që zvarriteshin pa fund. Praktika të njohura greke.

Qeveria shqiptare, duke u mbështetur në ankesat e panumërta të popullsisë çame dhe të emigrantëve ekonomikë nga shteti shqiptar, e shtroi përsëri çështjen e pasurive të tyre në Lidhjen e Kombeve. Në sesionin e 50-të të Këshillit të Lidhjes së Kombeve, më 5 qershor 1928, i dërguari i Shqipërisë, Mehdi Frashëri, kërkoi krijimin e një komisioni të paanshëm, ku të merrnin pjesë përfaqësues grekë e shqiptarë për të verifikuar gjendjen e pasurive të shqiptarëve. Këshilli i Lidhjes së Kombeve rekomandoi si mjetin më të mirë zhvillimin e bisedimeve në mes të dy palëve për të arritur një zgjidhje, gjë që nuk doli një detyrë e lehtë. Por paqja e shqiptarëve të Çamërisë nuk erdhi kurrë prej traktateve e marrëveshjeve të të mëdhenjve. Ato ishin të destinuara, shpejt a vonë, të përfundonin në koshin e harresës.

Kështu që, gjatë vitet ’20-’30, në përfshirje të Reformës Agrare, qeveria greke arriti të shpronësonte në zonën e Çamërisë një sipërfaqe të përgjithshme prej 6 000 hektarësh, pasuri e familjeve shqiptare myslimane, nga të cilat 2 600 hektarë u morën pa asnjë shpërblim. Fshatra të tëra u zbrazën nga banorët, të tjera u përgjysmuan ose u zvogëluan shumë. Këto toka iu dhanë refugjatëve grekë të sjellë nga Azia e Vogël.

Ende dhe sot e kësaj dite, me gjakftohtësinë e paturpësisë, “Vorio-Epirotët” e çakorduar kërkojnë territore tokësore e detare nga Republika e Shqipërisë. Kjo është ana e errët e Greqisë fqinjë në marrëdhëniet e saj me Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Po, a ka ndonjë grimë rreze shprese…?

 

Tiranë, 7 Shtator 2020

(Vizituar 53 here, 1 vizita sot)
WhatsApp Share SHARE Facebook Share