
Akoma nuk ka një datë se kur do të rinisë konvertimi i patentave shqiptare në italiane. E qytetarët e interesuar janë në pritje prej 25 dhjetorit 2019 kur skadoi marrëveshja që ishte në fuqi.
Kjo e konvertimit të patentave është në çështje që po shkon gjithnjë e më keq. Marrëveshja e shumëpritur u lidh më në fund në gusht 2009 me kohëzgjatje 5-vjeçare. U prit mbi 4 muaj kur marrëveshja u përtëri herën e parë (skadoi në gusht 2014 e u përtëri në dhjetor të atij viti). U deshën mbi dy vjet e gjysmë për të mundësuar njohjen e patentave të reja shqiptare që kanë nisur të lëshohen nga janari 2017 (në Itali, u bë e mundur njohja e tyre vetëm nga shtatori 2019). Tani sërish pritet përtëritja e marrëveshjes, prej 13 muajve.
Gjatë gjithë vitit të shkuar, pyetjet e vazhdueshme mbi këtë çështje kanë mbetur pezull. E vetmja përgjigje nga Ministria italiane e Transporteve dhe Infrastrukturave ka qenë në fillim të dhjetorit 2020 kur na është thënë që po punohet e është përmendur që sapo ishte nisur një “Notë” pa specifikuar se kujt e për çfarë. Nga pala shqiptare përgjigjet kanë qenë thuajse gjithnjë të tipit “Po punohet”, “Nuk kemi diçka përfundimtare akoma, por komunikimi ka qenë i vazhdueshëm me Institucionet italiane”, “Marrëveshja do të përtërihet shumë shpejt”. Vetë Ambasadorja e Shqipërisë në Itali, në korrik të vitit të shkuar, pyetjes se në ç’pikë ishin negociatat për përtëritjen e marrëveshjes i përgjigjej: “Dua t’ju informoj se autoritetet përgjegjëse shqiptare dhe italiane edhe gjatë periudhës së Covid-19 kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm për të finalizuar teknikalitetet e nevojshme për përmbylljen e një marrëveshjeje përfundimtare për konvertimin e lejeve të drejtimit. Nënshkrimi i marrëveshjes së re nuk do të jetë i largët”.
Së fundi, përgjigjet janë më të shumta, por informacionet që jepen janë të pamjaftueshme e nuk mund të kënaqin asnjë sepse përtëritjes së marrëveshjes akoma nuk i dihet data se kur mund të bëhet realitet.

