
Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” kapërceu kufijtë. Gazetari Ferit Lika sjell historinë e trishtë të familjes Shkupi në Gjakovë të Kosovës. Lufta e Kosovës ishte fatale jo vetëm për mijëra shqiptarë që mbetën të vrarë e të zhdukur, por edhe për qindra e mijëra të tjerë që pas lufte mbetën të shkatërruar shpirtërisht dhe ekonomikisht. Vendi u shkatërrua dhe shtëpitë u dogjën. I tillë ishte edhe fati i Hajdar Shkupit, 57-vjeçarit nga Gjakova. Pasi shtëpia ku jetonte iu dogj nga forcat serbe, fill pas lufte ai u strehua këtu, në këtë gërmadhë, në shtëpinë e braktisur të një serbi, në qendër të Gjakovës.
Gjendja e tyre është tepër e rëndë, punë nuk po gjejnë dot. Jetojnë me çfarë t’u falin të tjerët. Shtëpia nga dita në ditë rrezikon të shembet. Hajdari dhe Valbona kanë tre fëmijë, djali i madh Kreshniku, po përpiqet ta ndihmojë sadopak familjen, por që pas ngjarjes fatale që i ndodhi me vëllain, asnjë mundësi për punë s’po i krijohet. “Pandemia po na i bën shumë të vështirë të kërkojmë punë”.
Ata ishin tre vëllezër, që dilnin e shisnin shkrepëse në rrugët e Gjakovës, për të siguruar bukën e gojës, por fati i Elvirit ishte i njëjtë me atë të shitëses së vogël të shkrepëseve. Elviri ishte me shkrepëse në dorë kur e përplasi makina në tentativë për të kaluar rrugën. Djali po kalonte rrugën duke shkuar në drejtim të një lokali ku donte të shiste kutitë. “Ishte ora 12 e natës në shkurt kur një veturë me shpejtësi përplasi vëllain dhe pasi e gjuajti, ai ra në tokë i vdekur e qëlloi ne kurriz, ende i kam ato skena para fytyrës, ne donin të shkonim në drejtim të një lokali, e kisha vetëm 20 metra larg vëllait”, thotë vëllai i Elvirit. Valbona gjithmonë rri e përlotur, për djalin e saj 8 vjeçar, i cili humbi jetën duke u përpjekur që të siguroji kafshatën e gojës. Kreshniku e përjetoi shumë keq atë ndodhi dhe që prej asaj kohë ai nuk mundi ta bëjë dot më atë punë. Ai nuk mundet më të shes shkrepëse në rrugicat e ftohta të Gjakovës. Valbona e kujton shpesh dhe shpirti i dhemb, kur mendon se i vogli i saj dha jetën për t’i shpëtuar ata prej mjerimit. “E kujtoj shpesh, uroj mos t’i ndodhi askujt”, thotë ajo.

